Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mbajti mbledhjen e radhës

31.03.2023

Sot, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nën udhëheqjen e kryetares Arbëreshë Kryeziu Hyseni, mbajti mbledhjen e radhës, lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike.

Kryetarja Kryeziu Hyseni, referuar kërkesës së fjalë theksoi se pas takimit të zhvilluar mes disa prej anëtarëve të këtij komisioni dhe përfaqësueseve të organizatës së lartcekur, është vlerësuar si i domosdoshëm edhe një diskutim me të gjithë anëtarët e komisionit dhe Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, pasi që, siç tha ajo, kërkesa ka gjetur mbështetje edhe nga Kabineti e Kryetarit. 

Në emër të Kabinetit të Kryetarit, Besnik Vasolli, ndër të tjera theksoi se në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane është zhvilluar projekt-propozimi, për të cilën sipas tij ka pasur përkrahje maksimale nga vet ambasada dhe se tashmë ka marrë formën e projektit, i cili pritet të implementohet nga një kompani angleze, me seli kjo edhe në Estoni, e cila në strukturë të brendshme të saj përmban ambasadorë dhe deputetë të institucioneve të BE-së, si Parlamenti Evropian etj.

Tutje, sipas Vasollit, qëllimi kyç i këtij projekti është që përmes trajnimeve dhe konsulencave, të ndihmojë diplomacinë parlamentare të Kosovës, duke mbuluar edhe një pjesë të administratës së Kuvendit dhe deputetë të Komisionit për Integrim Evropian dhe këtij për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Për më tepër, Vasolli u shpreh se aktualisht projekti është në fazë të përpilimit, meqë propozimet se për cilat fusha mund të ndihmojnë vijnë nga ambasada zvicerane dhe organizata implementuese, por që pritet që projekti të fillojë të implementohet nga maji i këtij viti.

Anëtarët e komisionit vlerësuan lart kërkesën për ngritje të kapaciteteve parlamentare dhe shprehën vullnetin e tyre për të përkrahur këtë projekt, por po ashtu, momenti që i njëjti të vijë për komente dhe sugjerime, do të japin kontributin e tyre maksimal. 

Në fund, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me vizitën në Republikën e Shqipërisë.