E nderuar presidente e Republikës sonë, Vjosa Osmani-Sadriu,
E nderuar kryetare Spiropali,
Të nderuar kryeministra Rama e Kurti,
Të nderuar deputetë, kolegë të nderuar të kuvendeve tona,
Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar ambasadorë të dy vendeve tona,
Miq të dashur,
Të dashur qytetarë,
Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të kuvendeve tona të Kosovës dhe të Shqipërisë në fund të këtij viti, për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike e atyre gjeopolitike, të sigurisë që e shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti. Edhe dy muaj bëhen tri vjet që nga agresioni i Federatës Ruse mbi Ukrainën dhe mbi popullin e Ukrainës. Dhe ne si rajon edhe si Kosovë i kemi ndierë ndikimet e tërthorta e të drejtpërdrejta të këtij agresioni.
Republika e Kosovës po e mbyllë edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente të cilat lidhen me Serbinë e që po e synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste, si dhe ato të luftës hibride. Sulmi që u bë para pak ditësh ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe si një rend ligjor e demokratik, i cili nuk ka alternativë veçse në tërë territorin e Republikës sonë. Mos të harrojmë që ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës sonë kritike të furnizimit me ujë dhe me energji, vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që e përjetoi Republika jonë e që ishte sulmi në Banjskë. Organizatori dhe mbështetës i këtij sulmi është Radojiçiqi dhe ky i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti Vuciq, i cili ende mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi, e cila pothuajse nuk ekziston fare.
Prandaj, ky përbashkim i yni sot në këtë seancë të dy kuvendeve tona përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona. Kjo seancë duhet me u pa si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën, në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit, i cili për ne është i përbashkët.
Kam pasur nderin të drejtoj këtë institucion për një mandat të plotë të kësaj legjislature të cilën po e mbyllim. Po ashtu, edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është pothuajse në fund të mandatit, duke qenë se zgjedhjet parlamentare janë caktuar edhe atje. Por mund të them se si kuvende kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe e kemi ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin tonë ndërparlamentar. E ky bashkëpunim është jo vetëm i krerëve, por është bashkëpunim konkret në fushën e ligjvënies, përmes deputetëve tanë dhe komisioneve parlamentare të cilat takohen në baza të rregullta dhe kjo për ne ka qenë një arritje e konsiderueshme.
Përveç se përfaqësojmë të njëjtin komb, po ashtu përfaqësojmë edhe idealin e përbashkët të integrimit evropian të shteteve tona, pra synojmë të njëjtën familje. Shqipëria ka ecur përpara në rrugën e integrimit dhe mësimet e saj do të jenë shumë të dobishme për ne, pavarësisht rrethanave aktuale absurde të masave të cilat na i ka vendosur Bashkimi Evropian.
Në këtë mandat, Kuvendi i Kosovës ka zbatuar një agjendë të ngjeshur legjislative në mbështetje të programit reformativ të Qeverisë dhe si asnjëherë më parë ka dëshmuar stabilitet në kryerjen edhe të funksioneve të veta bazike. Si institucioni më i rëndësishëm i Republikës, kjo pa dyshim ka reflektuar edhe në klimën politike në mbarë shoqërinë tonë. Kosova mbetet një kampion i demokracisë në rajon, e vlerësuar edhe prej institucioneve perëndimore dhe me këtë duhet të krenohemi të gjithë ne si popull. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan.
E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, e falënderojmë Kuvendin, e falënderojmë qeverinë shqiptare që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në çdo forum të rëndësishëm të botës. E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit të saj, të forcimit të ligjit e të shtetit demokratik nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë cënim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallzim i raporteve me fqinjët tanë. Është Serbia ajo që nuk na e pranon madje as statusin e fqinjit, por ambiciet e saj hegjemoniste kundër Kosovës vazhdon t’i ketë madje edhe të kodifikuara në kushtetutë. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane që nuk e kontestojnë njëra-tjetrën. Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne jemi shumë të bindur që kjo do të ndodhë, sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë.
Në fund, dëshiroj që t’i uroj qytetarët e dy shteteve tona për festat e fundvitit, me shpresë që viti që po vjen do të jetë vit i fuqizimit dhe i përparimit të mëtejmë të kombit tonë. Për katër vite është bërë shumë progres, edhe në Republikën e Shqipërisë edhe në Republikën e Kosovës. Uroj që në fund të mandatit të legjislaturës së ardhshme të kuvendeve tona, do të jemi duke e festuar edhe pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe pranimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, duke e shënuar kështu finalizimin e sovranizimit ndërkombëtar të shtetësisë sonë.
Ju falemnderit!