Kuvendi i Republikës së Kosovës

Sesion trajnues i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë, me ish-kongresmenë amerikanë

30.07.2021

Me ftesë të kryetares Fitore Pacolli-Dalipi, nga 26 deri me 30 korrik është organizuar një sesion trajnimi për anëtarët dhe stafin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë, në emër të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRN), për t’i ofruar mbështetje teknike komisionit. Delegacioni i cili ka ofruar këtë mbështetje përfshinë ish-anëtarë të Kongresit të SHBA-së, stafin e zyrës qendrore të IRN-së, si dhe anëtarë të House Democracy Partnership (HDP) në SHBA. 

Gjatë këtij sesioni trajnues janë zhvilluar tema dhe diskutime lidhur me ”Forcimin e Funksionimit të Komisioneve”. Panelistët, ish-kongresmenë amerikanë: Mike Conaëay, Nick Rahall dhe Peter Roskam, kanë ndihmuar në dhënien e këshillave, duke ofruar përvojat e tyre lidhur me dëgjimet publike, hartimin e projektligjeve që avancon prioritetet legjislative, rëndësinë e angazhimit të ekspertëve të besuar, organizatat e shoqërisë civile, angazhimin dhe përfshirjen e qytetarëve në procesin legjislativ etj.

Në vazhdim, anëtarët e komisionit të HDP-së dhe kryetarja e Komisionit Dalipi-Pacolli, me pjesëmarrës tjerë, kanë realizuar një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë përmes Zoom me kongresmenë amerikanë. Kryetarja Pacolli Dalipi dhe kongresmeni amerikan Adrian Smith, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe të Hyra, si dhe i angazhuar për çështjet e energjisë dhe transportit, diskutuan për diversifikimin e burimeve të energjisë, shfrytëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore etj. 

Ndërsa me kongresmenen Dina Titus, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe e Komisionit për Infrastrukturë dhe Transport, u diskutua për politikat në transport, investimet amerikane në transportin publik, krijimin e vendeve të reja të punës përmes modernizimit të infrastrukturës etj. 

Po ashtu, kyetarja Pacolli Dalipi u bëri thirrje kongresmenëve amerikanë që të angazhohen fuqishëm për ta ndihmuar Kosovën në investimet infrastrukturore, më qenë se Kina është duke investuar shumë në vendet fqinje të rajonit.

Në fund të takimit, të dyja palët u dakorduan që ta vazhdojnë bashkëpunimin dhe angazhimin duke e ndihmuar njëra-tjetrën në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.