Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

06.05.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e nënkryetares Saranda Bogujevci, zhvilloi sot seancën plenare. Veç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në rend të ditës kishte edhe dy pika: debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, si dhe shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Gjatë zhvillimit të pikës së deklarimeve jashtë rendit të ditës, pjesa e deklarimeve të ministrave, deputetët e GP të LDK-së e lëshuan sallën, pas ndërprerjes së fjalës kryetarit të Grupit të LDK-së Arben Gashi. Më pas kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi një takim të shpejtë të Kryesisë dhe pas fjalës së tij edhe deputetët e këtij grupi lëshuan mbledhjen. 

Kryesuesja e seancës ndërpreu përkohësisht punimet e mbledhjes plenare. Seanca rifilloi punimet me pyetje parlamentare.

Seanca vijoi punimet pas pauzës, me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës, pasi që GP i PDK-së, në cilësi të iniciuesit, nuk ishte i pranishëm në sallë për të arsyetuar kërkesën për debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Kryesuesja e seancës ia kaloi fjalën nënkryetares së komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, për të bërë arsyetimin e rekomandimeve dhe më pas seanca vijoi me deklarimet e kryetarëve të grupeve parlamentare. 

Pasi rreshtën diskutimet, drejtuesja e seancës kaloi në votimin e rekomandimeve, të cilat u miratuan me 61 vota.

Seanca e Kuvendit mbylli punimet për ditën e sotme.