Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga takimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës, Persona të Pagjetur dhe Peticione me përfaqësuesen e “Save the Children” në Kosovë, Kanarina Shehu

25.05.2022

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës, Persona të Pagjetur dhe Peticione takuan përfaqësuesen e “Save the Children” në Kosovë, Kanarina Shehu.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësues të OSBE-së, EUSR-së dhe përfaqësues të KDI-së.

Përfaqësuesja e “Save the Children” në Kosovë, Kanarina Shehu, i njoftoi anëtarët e Komisionit për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.

Shehu theksoi se kjo organizatë ndërkombëtare ka bashkëpunim të mirë me disa ministri, dhe se pret që Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Ministria e Arsimit të nxjerrin disa udhëzime administrative në të ardhmen e afërt për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.

Më tej, Shehu tha se Ministria e Arsimit së shpejti do të nxjerrë udhëzime administrative për mbrojtjen e fëmijëve në shkolla, dhe se ministritë e tjera në kuadër të fushës do të nxjerrin dymbëdhjetë (12) udhëzime administrative të mbetura deri në fund të qershorit të këtij viti. 

Në fund të fjalës së saj, Shehu përmendi se në Kosovë ka mjaftë qendra të sigurta për fëmijë, por në të cilat duhet të përmirësohen kushtet dhe të përmirësohen shërbimet sociale dhe shëndetësore.

Në vazhdim të takimit, anëtarët e Komisionit, parashtruan shumë pyetje të cilave Shehu iu përgjigj në detaje.