Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë 

25.11.2022

Reforma dhe agjenda legjislative e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ishin disa nga çështjet për të cilat ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për  Punë të Jashtme dhe Diasporë, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz. 

Mbledhja është kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haki Abazi, i cili fillimit vuri në spikamë fondin buxhetor të ministrisë dhe mundësitë që ofron ai për mbarëvajtjen dhe sukseset e kësaj ministrie. 

Ministrja Gërvalla – Schwarc, ndërkaq, fillimisht njoftoi për procesin e reformimit të brendshëm të ministrisë, përkatësisht, fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës, për të cilin vlerësoi se është një ndër sfidat kryesore në këtë ministri. 

Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla,  tha: “Qysh në fillim të mandatit qeverisës kemi ndërmarrë hapa konkret ligjorë dhe procedural për fuzionimin e dy ministrive, si dhe reformimin dhe ristrukturimin e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.  Në vijim ajo bëri të ditur për draftimin e Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJ.  

Për sa i përket kësaj, ministrja u shpreh se, Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka kaluar të gjitha procedurat e rregullta të verifikimit të ligjshmërisë, ashtu siç është përcaktuar me Ligj. 

Rregullorja vijoi ministrja Gërvalla, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës  dhe bazë e saj është Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. 

Në vijim të raportimit të saj, ministrja foli për agjendën  legjislative në kuadër të MPJD –së. 

Lidhur me këtë, u bë e ditur se ligjet e përfshira në këtë agjendë janë: Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara, Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, Projektligji për Protokollin e Shtetit, si dhe Projektligji për Diasporën. Ndërkaq, lidhur me Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, Projektligjin për Protokollin e Shtetit, si dhe Projektligjin për Diasporën, me  qëllim të përgatitjes sa më përmbajtësore të tyre, Qeverisë i është kërkuar ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ, duke iu shmangur  afatit paraprak për procedimin e tyre. 

Pas kësaj vijoi debati, gjatë të cilit ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, u  është përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit. 

Me këtë rast, ajo po ashtu njoftoi se Ministria që ajo drejton ka vendosur që objektet e disa  ambasadave të blihen. 

Ambasada në Mbretërinë e Bashkuar, përkatësisht Londër, SHBA, Senegal dhe Zagreb, do të jenë disa nga ambasadat  që Ministria synon të evitojë pagesën mujore për të zhvilluar aktivitete përfaqësuese, tha ministrja Gërvalla.