Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

23.05.2022

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i kryesuar nga Haki Abazi, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën i ftuar për raportim lidhur me dialogun me Serbinë ishte zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvëndëskryeministri Bislimi, duke iu referuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndër të tjera theksoi faktin se për muaj me radhë pothuajse i tërë fokusi i palëve ka qenë marrëveshja për targa dhe ajo për energji, duke mos e lënë anash edhe çështjen e të pagjeturve. 

“Arsyeja kryesore se pse marrëveshja e targave dhe e energjisë ka marrë trajtim më të shpejtë se sa çështjet tjera, ka qenë se marrëveshja për targa ka pasur limitim kohor, dhe si e tillë është kërkuar të ofrohet një zgjidhje para afatit të skadencës së marrëveshjes. Kurse, marrëveshja për energjinë, përveç që ka pasur kosto të lartë financiare, po ashtu ka pasur edhe kosto politike”, tha Bislimi. 

Për më tepër, zëvëndëskryeministri Bislimi theksoi se nga pala kosovare është treguar konstruktivitet, gjë që te pala serbe ka munguar, dhe si rezultat nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshje as për targa dhe as për energji.

Në këtë kontekst, ai tha se dialogu nuk është zhvilluar në primatin e duhur, për shkak të mosgatishmërisë dhe mungesës së konstruktivitetit nga pala serbe.

Nisur nga moskonstruktiviteti i palës serbe, Bislimi shtoi se Qeveria e Kosovës po obligohet të krijojë planin “B”.

Më pas, anëtarët e këtij komisioni parashtruan pyetje kryesisht rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat zëvendëskryeministri Bislimi dha përgjigje. 

Pas shterjes së debatit, deputeti Abazi shprehu falënderim për zëvëndëskryeministrin Bislimi, lidhur me informatat që i ndau me anëtarët e këtij komisioni.