Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

24.05.2022

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetarja Hykmete Bajrami, u shqyrtua raporti i auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”. 

Të ftuar në këtë takim, për të dhënë sqarimet e nevojshme ishin kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Skender Haziri, si dhe kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi. 

Deputetja Bajrami, fillimisht shpalosi një varg të gjeturash, të cilat janë identifikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), duke vlerësuar se gjetjet janë shqetësuese, pasi ndër tjera ka pasur kontrata të shumta të firmosura me negocim të drejtpërdrejtë, si dhe mungesë të transparencës. 

 “KEK-u dhe Zyra e Prokurimit të KEK-ut, kanë negociuar kontraktorë për shuma të larta, të cilët i kanë konsideruar të papërgjegjshëm. Ka kontrata të sigurimit fizik të objekteve, dhe ka papërgjëgjshmëri të operatorëve ekonomik, të cilëve nuk u janë shqiptuar dënime”, tha Bajrami.   

Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit, vlerësuan se ka pasur menaxhim dhe mbikëqyrje të dobët të kontratave dhe të planifikimit. 

Tutje, Komisioni kërkoi sqarime rreth të gjeturave për blerjen e kushinetave dhe për riparimin e eskavatorit, ndërkaq, kërkuan zbatim të rekomandimeve të auditorit.

Po ashtu, u kërkuan të dhëna lidhur me veprimet që ata kanë ndërmarrë deri më sot, si dhe për përpilimin e planit të hartimit të rekomandimeve, duke kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësues të KEK-ut që të ndërmirren masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje. Veç tjerash u kërkua që të dorëzohet edhe në Komision plani i zbatimit të rekomandimeve. 

Kurse, përfaqësuesit e KEK-ut dhanë sqarime të shumta në çështjet që u ngritën. Me këtë rast, Nagip Krasniqi, kryeshef ekzekutiv, vlerësoi se shumica e të gjeturave qëndrojnë, duke u zotuar se do të bëjnë përpjekje që t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna. 

Edhe, Skender Haziri, kryesues i Bordit të KEK ut, u pajtua se ka pasur keqmenaxhim, dhe se ka hapësirë për përmirësim. Edhe ai premtoi në Komision se KEK-u do t’i zbatojë rekomandimet e auditorit.