Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

21.06.2022

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pas takimit me përfaqësuesit e Odës Afarizmit të Kosovës, vazhdoi me mbledhjen e rregullt, me pikat e parapara në rend të ditës. 

Nën udhëheqjen e kryetarit, Ferat Shala, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

Para të pranishmëve, deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi, arsyetoi nismën e marrë nga partia të cilën ajo e përfaqëson në këtë komision. Sipas saj, bordi i ZRRE-së ka qenë jo transparent me qytetarët dhe nuk është treguar korrekt, duke i tarifuar ata me çmime shumë të larta të energjisë elektrike të cilat janë të paarsyeshme. 

Përkundër debatit, ky mocion nuk gjeti mbështetje nga shumica e deputetëve, andaj edhe si i tillë nuk u miratua.

Komisioni vazhdoi punimet me pikën e radhës. Kështu, u bë shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021.\

Gjatë raportimit të tij, kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, paraqiti sfidat me të cilat është përballur kjo ndërmarrje, si dhe më në detaje shpjegoi pasqyrën financiare dhe vendimet e marra gjatë vitit 2021. 

Mehmeti tha se pandemia ka ndikuar negativisht si dhe përkundër faktit se pagesa e energjisë elektrike po bëhet me faturim më të lartë, kriza ende nuk është kaluar.

Pas një diskutimi mes të dy palëve, anëtarët e komisionit miratuan raportin, me asnjë votë kundër.