Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

23.11.2022

Nën drejtimin e kryetarit Armend Muja, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mbajti sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u votua raporti vjetor financiar i Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021, diskutimet e të cilit kanë përfunduar mbledhjen e kaluar.

Komisioni po ashtu mbështeti raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2021, ndërsa me katër vota kundër dhe tri për, nuk iu dha përkrahje raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2021.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2021, të cilin e prezantoi dhe prezantoi drejtori Bujar Ejupi.

Ejupi tha se ky institucion shpenzimet i ka minimale, sepse i gjithë buxheti shkon në paga dhe mëditje dhe në mallra e shërbime, ndërsa shtoi se në vitin 2021 kanë pasur shpenzime më pak pasi që janë vendosur në një objekt shtetëror e jo me qira siç kanë qenë deri në vitin 2020.

Ejupi tha se të hyrat për vitin 2021 për AAC-në kanë qenë afër tre milionë euro dhe për paga dhe mëditje është shpenzuar qind për qind ndërsa për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 86 për qind.

Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit shtruan shumë pyetje për drejtorin e AAC-së, me theks të veçantë për tarifat për kompanitë që shfrytëzojnë hapësirën e territorit të Kosovës për qarkullim ajror.

Pas shterimit të debatit, raporti vjetor financiar i AAC-së nuk u hodh në votim në mungesë kuorumi.

Në mungesë të kuorumit nuk u shqyrtua as raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2022, i cili u shty për mbledhjen e radhës.