Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

25.05.2022

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, i kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Komisioni miratoi raportin me rekomandime për Projektligjin nr. 08/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-021 për Akcizën në Produktet e Duhanit; raportin me amendamente të Komisonit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim për Projektligjin nr.08/L-025 për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, si dhe raportin me amendamente të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për Projektligjin nr.08/L-136 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e listës së kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryetari Armend Muja prezantoi listën me pesë kandidatë që paneli intervistues i BQK-së e ka dorëzuar në Komision, e më pas për t’u rekomanduar për votim në seancë. 

Por, deputetët nga opozita e kundërshtuan këtë listë, duke kërkuar që e njëjta mos të votohet pasi që paneli intervistues nuk ka sjellë arsyetime për përzgjedhjen e kandidatëve.

Pas debatit për dhe kundër, kryetari Muja tha se kjo pikë shtyhet për mbledhjen e ardhshme, pasi që të kenë në dizpozicion informatat shtesë të kërkuara nga deputetët.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrtoi edhe raportin vjetor finaciar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.

Një prezantim të shkurtër të raportit e bëri zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, Valon Kryeziu, por deputetët nga opozita kërkuan që raporti të bëhet nga komisionerja e jo nga zyrtarët tjerë.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që edhe kjo pikë të shtyhet deri në një mbledhje të radhës kur do të jetë e pranishme edhe komisionerja e Agjencisë.

Në vazhdim, Komisioni shqyrtoi në parim Projektligjin nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.04/L-115, me Ligjin nr.04/L-168 dhe Ligjin nr.05/L-116.

Projektligjin në fjalë e prezantoi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, sipas të cilit tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale do t’i ndihmonte qytetarët pas krizave të ndryshme në dy vitet e fundit.

Gjatë prezentimit, Haxhiu tha se sipas ndryshim plotësimeve, qytetarët do të mund të tërheqin 10 deri në 30 përqind të shumës së kursimeve pensionale, duke shtuar se përqindja e tërheqjes nuk do të jetë për të gjithë e njëjtë.

Kryetari Muja e hapi debatin për diskutime rreth projektligjit në fjalë, ku më pas të njëjtin e hodhi në votim.

Me 5 vota për, 5 kundër dhe një abstenim ky projektligj nuk u përkrah nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.