Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal 

06.10.2022

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Valon Ramadani, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës. 

Në këtë mbledhje, të pranishëm ishin anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), të cilët prezantuan raportin gjashtmujor të punës së këtij institucioni.

Kryetari i KPMSHCK-së, Jeton Koca, njoftoi anëtarët e komisionit se, përkundër numrit të ulët të punonjësve, kanë arritur t’i menaxhojnë dhe t’i realizojnë objektivat e parapara për gjashtmujorin e vitit 2022. 

Ndër të tjera, Koca njoftoi se nga janari gjerë me 30 shtator të këtij viti, ky këshill ka arritur të shqyrtojë mbi 80 për qind të ankesave të pranuara.

Më pas, gjatë komenteve të dhëna nga ana e anëtarëve të komisionit mbi prezantimin e raportit gjashtmujor të KPMSHCK-së, u tha se raporti kishte mangësi. Si rrjedhojë, u dakorduan që raportet pasuese të jenë më përmbajtësore dhe më të detajuara.

Në përmbyllje të mbledhjes, duke iu drejtuar anëtarëve të komisionit, Koca kërkoi mbështetjen e tyre, pasi siç tha ai, produktiviteti i KPMSHCK-së varet nga bashkëpunimi me Kuvendin e Republikës së Kosovës.