Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca nderoi heroin Zahir Pajaziti 

31.01.2023

Sot, në 26-vjetorin e rënies së heroit Zahir Pajaziti, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, bëri homazhe dhe vendosi lule te varri i tij në fshatin Orllan. 

Me këtë rast, kreu i Kuvendit u prit nga familjarë të heroit. 

Kryetari Konjufca vlerësoi lart jetën dhe veprën e komandantit të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e konsideruar atë si njërën ndër pushkët e para dhe më frymëzuese për mijëra djem dhe vajza që më pas u rreshtuan në radhët e UÇK-së. 

Pas homazheve, Kryetari i Kuvendit vizitoi edhe Kullën në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan dhe shtatoren e heroit.

Zahir Pajaziti ra më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë, së bashku me dy bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.