Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varrit të heroit Agron Rrahmani, me rastin e 24 vjetorit të rënies së tij.
Me këtë rast kreu i Kuvendit tha se Agron Rrahmani është njëra prej figurave më të rëndësishme, i cili ka dhënë kontribut të madh që populli i Kosovës sot të jetojë i lirë.
Kryetari Konjufca tha se heronjtë Agron Rrahmani, Bahri Fazliu dhe veprimtarë të tjerë, janë inspiruar nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, të cilët, më 2 nëntor 1989, ranë heroikisht në një betejë me policinë serbe.
“Ngjarjet e tilla vazhdimisht kanë frymëzuar heronjtë e UÇK-së. Pra, kur filloi lufta jonë, ajo nuk filloi nga asgjëja, por ishte një shtresëzim shumë i gjatë i përpjekjeve të pareshtura e i heroizmave të tillë, prej të cilave ushqeheshin çlirimtarët dhe heronjtë tanë, të cilët do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë”, tha Konjufca.