Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mbajti takim me Odën e Afarizmit

21.06.2022

Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pritën sot në takim përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës. 

Hapjen e takimit e bëri kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala. Në fjalën e tij kryetari Shala bëri të ditur se komisioni të cilin ai e udhëheq është i gatshëm të bashkëpunojë me Odën e Afarizmit, me qëllim të arritjes se qëllimeve të përbashkëta dhe gjetjen e alternativave për zgjidhjen e problemeve eventuale.
 
Tutje sipas Shalës, anëtarët e komisionit janë të hapur edhe ndaj çdo kritike apo sugjerimi që mund të vijë nga ana e përfaqësuesve të OAK-ut, ndërsa shtoi se takimet e tilla janë shumë të domosdoshme dhe gjithmonë të mirëseardhura.

Në anën tjetër, Skënder Krasniqi, kryetar i OAK-ut, tregoi qëllimin e kërkesës për takim me Komisionin për Ekonomi. Ai shpjegoi se një bashkëbisedim me anëtarët i këtij komisioni është i nevojshëm. 

Gjatë shpalosjes së nevojave dhe kërkesave, sidomos të bizneseve private, Krasniqi bëri të ditur se ndryshimi i politikave fiskale dhe heqja e TVSH-së, do të ishin një hap i cili do ta përmirësonte gjendjen e sektorit privat. Sipas Krasniqit, gjendja e krijuar ekonomike më së shumti po ndikon negativisht në jetën e qytetarëve.

Duke pasur parasysh të gjitha kërkesat e paraqitura si dhe pas një bashkëbisedimi mes anëtarëve të komisionit me përfaqësuesit e OAK, kryetari Shala deklaroi se kërkesat e tyre do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës të këtij komisioni.

Ai tha se do të përpiqet që se bashku me anëtarët e komisionit të arrijë t’i plotësojë të gjitha kërkesat e parashtruara në këtë takim.