Kuvendi i Republikës së Kosovës

Grupi i Miqësisë takoi delegacionin parlamentar nga Mbretëria e Bashkuar

02.12.2022

Grupi i Miqësisë me Mbretërinë e Bashkuar i Kuvendi të Republikës së Kosovës priti sot në takim një delegacion parlamentar nga Mbretëria e Bashkuar, në përbërje: Martin Vickers, Lisa Cameron, Mattheë Offord dhe Baroness Blake.

Takimi u drejtua nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, deputetja Ariana Musliu Shoshi, ndërsa morën pjesë edhe deputetët Driton Hyseni, Enis Kervan, Shemsedin Dreshaj dhe Fatmire Kollçaku Mulhaxha, anëtarë.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer që të dy vendet kanë sendërtuar midis tyre, si dhe për nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme të interesit reciprok.

Duke e falënderuar delegacionin mysafir për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për Kosovën në kohë dhe rrethana të ndryshme, kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë, Ariana Musliu Shoshi, theksoi kontributin e Londrës zyrtare edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ajo potencoi vecanërisht kontributin e rëndësishëm britanik në ushtri, ekonomi dhe procesin e shtetndërtimit.

Kryetarja e Grupit të  Miqësisë ndër të tjera kërkoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Anëtari i Grupit të Miqësisë, deputeti Driton Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke u ndalur në ndihmën që Mbrëtëria e Bashkuar ka dhënë për Kosovën në procese të ndryshme, potencoi hapat që Kosova ka bërë në procesin e integrimit e të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Ai theksoi gjitashtu nevojën për mbështetje në fushën e investimeve në Kosovë.

Edhe deputeti Enis Kervan, nga delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar kërkoi mbështeje për Kosovën në drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Deputeti Shemsedin Dreshaj theksoi konsistencën e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, ndërsa deputetja Fatmire Kollçaku Mulhaxha e njohu delegacionin mysafir me sfidat në sektorin e shëndetësisë dhe rolin e Kuvendit në tejkalimin e tyre.

Anëtarë të delegacionit të Mbretërësis së bashkuar, nga ana e tyre u interesuan për zhvillimet e fundit në vendin tonë, arritjet e shënuara dhe sfidat aktuale, ndërsa potencuan mbështetjen e vendit të tyre edhe në të ardhmen.