Kuvendi i Republikës së Kosovës

Grupi i Deputetëve të Rinj shënoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

12.08.2022

Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Aktiviteti kryesor me rastin e kësaj dite u mbajt në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, udhëhequr nga deputeti Agon Batusha, kryetar i Grupit të Deputetëve të Rinj.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, zëvëndësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, deputetë, asambleistë, si dhe aktivistë të organizatave rinore.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bugujevci, në fjalën e saj tha se përkundër sfidave të cilat u shfaqën të rinjve, ata kanë mundësi t’i zhvillojnë të gjitha sektoret, ku mendohet se nuk ka zhvillim të nivelit të kënaqshëm. 

“Të rinjtë tanë gjatë pjesëmarrjes së tyre në aktivitete të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, janë treguar të suksesshëm, duke i përfaqësuar dënjësisht jo vetëm të rinjtë, por të gjithë qytetarët e republikës sonë, përfaqësim i cili na bënë të mburremi çdo ditë e më shumë”, tha ndër të tjera Bugujevci. 

Ajo u bëri thirrje të rinjve të Kosovës që ta mbajnë fokusin brenda vendit, për të punuar bashkë në gjetjen e rrugës së duhur për t’i bërë ndryshimet e nevojshme, qoftë nëpërmjet legjislacionit, apo edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme politike e sociale.

Më pas, të pranishmve iu drejtua kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili elaboroi edhe qëllimin e këtij takimi. 

Bazuar në relacionin në mes të politikës dhe rinisë, Kurti potencoi katër pika të cilat siç tha ai duhet të mbahen në mendje: “Masa rinore, është masa më e madhe energjike dhe krijuese në vend; rinia është masa më e madhe njerëzore; rinia është pjesë e popullsisë e cila do t’i vuante gabimet, dështimet dhe vonësat e spektrit politik, si dhe rinia është ajo e cila do t’i shohë gjysëmshekulli më pas fatet dhe gjendjen e njerëzimit dhe të botës”.

Kryeministri Kurti ndër të tjera shtoi se ngritja e cilësisë në arsim do ta progresonte zhvillimin mbarë shoqëror, andaj, bëri thirrje që të rinjtë të kalitën e të ngritën si individë në organizata për t’i shërbyer më pas shoqërisë dhe vendit.

Tutje, Daulina Osmani, zëvëndësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, foli për rëndësinë që ka rinia në zhvillimin e shtetit të Kosovës. 

“Të rinjtë janë çelësi i suksesit dhe zhvillimit tonë. Të rinjtë të talentuar po tregojnë potencialin e Kosovës në mbarë botën”, tha ajo. 

Osmani gjithashtu numëroi disa nga hapat ekzistues që Qeveria ka realizuar lidhur me integrimin kësaj grupmoshe, me theks të veçantë themelimin e Komisionit Shtetëror për Rini, me qëllim të përfshirjes së tyre në sfera të ndryshme.

Më pas, në emër të Komisionit Parlamentar për Kulturë, Rini dhe Sport, foli deputeti Ardian Gola, i cili tha se rinia është ndryshimi në substancë. 

“Rrethanat dhe kushtet e ekzistencës në të cilat jetojmë, nuk i zgjedhim, ato na zgjedhin neve. Prandaj, kërkohet vazhdimisht të ndryshohen rrethanat”, theksoi Gola. 

Po ashtu, një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Grupit të Deputetëve të Rinj, deputeti Agon Batusha, i cili shpalosi më detajisht planet konkrete të veprimit të këtij grupit. 

Ai bëri të ditur se do të hedhen hapa paralelë për draftimin e ligjeve të nevojshme. 

Sipas deputetit Batusha, në muajt e ardhshëm do të fillohet me takimet punuese. 

“Do të shërbejmë si llupë e fortë nëpërmjet së cilës do të jetësohen praktikat më të mira rinore. Do të thellojmë dhe zgjerojmë raportet me ju të rinj, si dhe do jemi ombrellë e të rinjve të Kosovës”, tha Batusha. 

Ai bëri thirrje që të rinjtë të punojnë drejtë zhvillimit personal dhe mbarë shoqëror. 

Ky aktivitet u përmbyll me një panair në holl të Kuvendit, të ogranizuar nga oganizatat rinore, të cilat prezantuan punën e tyre.