Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi miratoi Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021

29.12.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetares Vjosa Osmani, me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar sot në lexim të dytë Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

 

Votimi i projektligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm, u bë me shmangie nga Rregullorja e Kuvendit. Si i tillë, projektligji u miratua bashkë me 12 amendamentet që kishin përkrahjen e komisionit funksional. Kështu, 150 amendamente të tjera të cilat ishin pa përkrahjen e komisionit dhe qe u hodhën në votim në mënyrë grupore, nuk u miratuan.

 

Deputeti Hekuran Murati, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, sqaroi se pse komisioni është dakorduar që të shqyrtohen vetëm disa amendamente.

 

“Ne si komision duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi, jemi dakorduar që të shqyrtojmë vetëm amendamentet që kemi llogaritur si esenciale. Kurse, pjesa tjetër do të caktohet sipas prioriteteve në rishikim të buxhetit”, tha Murati.

 

Fjalën e mori edhe ministrja Hykmete Bajrami, e cila në emër të Qeverisë bëri thirrje të votohet sot ky projektligj.  

“Kriza pandemike do të vazhdojë edhe në tremujorin e ardhshëm të vitit 2021. Thirrja jonë si përfaqësues të Qeverisë është të mos procedohet me amendamente të tjera, për shkak të limiteve buxhetore që ne i kemi”, theksoi Bajrami.

 

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Liburn Aliu tha se ky grup do ta votoj projektligjin.

 

“Duhet ta kemi parasysh që do të kemi zgjedhje së shpejti. Meqë do të kemi qeveri tjetër prej kësaj që është sot, duhet ta dimë që do të bëhet rishikimi i buxhetit. Prandaj, ne si grup parlamentar, do ta votojmë këtë buxhet”, u shpreh Aliu.

 

Në anën tjetër, Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, propozoi një amendament të ri, amendament ky i cili më vonë mori përkrahjen e deputetëve në seancë.

 

“Kuvendi në seancën e ditës së djeshme ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare, vlera e së cilës është 10 milioën euro. Duhet të shtohet një amendament i ri, për mbulimin e shpenzimeve buxhetore”, tha Gashi.

 

Bedri Hamza nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se votimi i buxhetit duhet të ndodhë sepse vendi nuk mund të shkoj në zgjedhje pa buxhet.

 

“E dimë që e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vendi do të shkojë në zgjedhje. Situata është shumë delikate nëse vendi shkon në zgjedhje pa buxhet. Kësaj radhe, zgjedhjet do të ndodhin në një situatë të vështirë, prandaj, ne si Parti Demokratike e përkrahim projektligjin për buxhetin”, tha Hamza.

 

“Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e votimit të këtij buxheti. Përkundër faktit që po pajtohemi se është moment kritik, ne shprehim gatishmërinë që nëse duhet, jemi të gatshëm të shqyrtojmë secilin amendament një e nga një”, u shpreh Gazmend Abrashi nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

 

Tutje, Endrit Shala në emër të NISMA AKR dhe 6+, u pajtua që të votohet projektligji ashtu siç ka propozuar Komisioni për Buxhet dhe Transfere.

 

“Ne pajtohemi ashtu si gjithë grupet parlamentare të procedojmë dhe votojmë siç është sjell nga ana e komisioni përgjegjës”, theksoi Shala.

 

Në fund, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bëri konstatimin e zgjedhjes së Abdyl Fetahut kryetar të Bordit të Komisionit të Ankesave, meqë i njëjti ka marrë më së shumti vota, përkatësisht 56 sosh.

 

Po ashtu, kryeparlamentarja Osmani paralajmëroi se kjo mund të jetë seanca e fundit për këtë legjislaturë, prandaj, duke u dëshiruar deputetëve shëndet, uroi që në procesin e afërt zgjedhor të respektohet vota e qytetarëve të Kosovës.