Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Buxhet dhe Transfere mbajti mbledhjen e radhës

15.07.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga Hekuran Murati kryetar, ka mbajtur sot mbledhje online, në të cilën ka shqyrtuar raportin e programit financiar për periudhën prill-qershor 2020 dhe programin e shpenzime të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2020.

 

Raportin financiar të shpenzimeve prill-qershor 2020 dhe programin e shpenzimeve të RTK-së korrik-shtator 2020 i kanë paraqitur para deputetëve anëtari i Bordit të RTK-së, Lirim Geci dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati.

 

Përfaqësuesit e RTK-së kanë përsëritur se ulja e buxhetit për këtë vit dhe jo kompletimi i Bordit e kanë vështirësuar tej mase punën e mediumit publik.

 

Anëtari i Bordit të RTK-së Lirim Geci sqaroi se të hyrat kryesore të RTK-së për periudhën prill-qershor 2020 kanë qenë nga buxheti i Kosovës, e që sipas tij, përbëjnë 88 për qind të të hyrave të përgjithshme të RTK-së. Të hyrat nga marketingu, shtoi ai, kanë gjeneruar 9 për qind të të hyrave dhe të gjitha të hyrat e tjera kanë qenë 3 për qind e të hyrave të përgjithshme.

 

Deputetët, anëtarë të Komisionit, kishin mendime të ndryshme lidhur me buxhetin e ndarë për RTK-në. Deputeti Bedri Hamza kërkoi që Kuvendi t’i dalë në ndihmë transmetuesit publik, ndërsa deputetja Mimoza Kusari-Lila e kundërshtoi këtë, duke thënë se menaxhmenti i RTK-së duhet që sa më shumë të ulë shpenzimet dhe të angazhohet edhe sektori i marketingut, në mënyrë që të krijojë të hyra më të mëdha.

 

Pas debatit këto dy raporte u hodhën në votim, duke marrë shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

 

Komisioni shqyrtoi edhe një kërkesë të drejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e lartësisë së koeficientit dhe të pagës së drejtorit dhe zëvendës-drejtorit të kësaj Agjencie.

 

Komisioni vendosi që koeficienti dhe paga e drejtorit dhe e zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie, të jenë ashtu siç është përcaktuar nga Ministria e Administratës Publike, deri në miratimin e Ligjit për Paga.

 

Në Komision u shqyrtua edhe raporti vjetor financiar i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2019  të cilin e prezantoi anëtari i Bordit të ARRU-së, Shkumbin Hyseni.

 

Pas prezantimit raporti u hodh në votim, por nuk mori votat e nevojshme.

 

Komisioni për Buxhet dhe Transfere diskutoi edhe në lidhje me përshpejtimin e procedurave për rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës. Deputetët u pajtuan që deri të hënën të dërgohen amendamentet që do të diskutohen në mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.