Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

18.03.2015

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) për vitin 2018.
Këtë raport para komisionit e paraqiti anëtari i Bordit të ARH-së, Shkumbin Hyseni, i cili vuri në spikamë të arriturat dhe sfidat me të cilat ata përballen.
Lidhur me të arriturat e ARH-së, Hyseni vuri në spikamë përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshja me MSA - në, e që ka të bëjë me hekurudhat, ndërsa në vijim të paraqitjes së tij ai u ndal te sfidat me të cilat është duke u përballur ARH-ja.
Ndër sfidat me të cilat është duke u përballur në vazhdimësi ARH-ja, Hyseni nënvizoi numrin e madh të vendkalimeve ilegale, si pasojë e të cilave janë duke u shkaktuar aksidente të shumta. Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar, në vendkalimet hekurudhore kanë ndodhur 19 aksidente, prej të cilave 3 prej tyre kanë rezultuar me fatalitet.
Përfaqësuesi i ARH-së, në vijim foli edhe për nevojën e rishikimit të legjislacionit sekondar të kësaj fushe dhe harmonizimin e tij të plotë me atë të BE- së.
Pas kësaj, ai u është përgjigjur pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit, të cilët në fund të debatit e miratuan këtë raport.
Në vijim të mbledhjes, komisioni diskutoi edhe për iniciativën e Qeverisë, lidhur me "Programin për zvogëlimin efektiv të barrës administrative në legjislacion dhe ekonomi".
Lidhur me këtë, në emër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM) foli Arben Krasniqi, i cili gjatë shtjellimit të këtij programi qeveritar bëri të ditur se deri në fund të vitit, ZKM do të hartojë një dokument, i cili do të mund të shqyrtohet si draft që ka të bëjë me zvogëlimin efektiv të barrës administrative në legjislacion dhe ekonomi.