Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Përvoja e Bullgarisë, e rëndësishme për Kosovën në proceset integruese

12.02.2020

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, sot priti ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, z. Hristo Gudjev, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin e gjertanishëm institucional në mes të Kosovës dhe Bullgarisë.

 

Ambasadori Gudjev solli urimet me rastin e zgjedhjes së znj. Osmani kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar si vlerë të shtuar zgjedhjen e një gruaje në krye të institucionit më të lartë përfaqësues.

 

Në takim u rikonfirmua gatishmëria e Bullgarisë për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në nivel të institucioneve lokale dhe qendrore, bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, artit e të trashëgimisë kulturore, duke qenë vende me trashëgimi të pasur kulturore.

 

Ishte vlerësim i njëjtë se përveç afërsisë gjeografike dhe vlerave të përbashkëta të orientimit properëndimor, Kosova dhe Bullgaria kanë edhe shumë sfida të përbashkëta, andaj rëndësia e një partneriteti të tillë është më se e nevojshme.

 

Ambasadori ofroi përkrahjen e shtetit bullgar për reformat e synuara nga ana e institucioneve të reja, procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe krijimin e mundësive për lirinë e lëvizjes.

 

Bashkëpunimi parlamentar në mes të dy vendeve ishte me theks të  veçantë në ofrimin e shkëmbimit të përvojave në procesin e integrimit europian dhe euroatlantik.