Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Linjë e veçantë buxhetore për strehimoret e viktimave të dhunës në familje

15.02.2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, dje priti një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të drejtuar nga Igballe Rugova, me të cilin bisedoi mbi aktivitetet dhe sfidat me të cilat kjo roganizatë po përballet për ta realizuar misionin e saj.

 

Znj. Osmani e çmoi lart përkushtimin e Rrjetit të Grave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje.

 

Ajo nënvizoi se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mekanizma shtetërorë për mbrojtjen efikase të të drejtave dhe lirive të viktimave të dhunës në familje.

 

“Institucionet e reja të Kosovës do ta shtojnë kujdesin ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht ndaj viktimave të dhunës”, tha Dr. Osmani.

 

Ajo u zotua se do ta përkrahë Rrjetin e Grave në synimin e kësaj organizate për përmirësimin dhe mbrojtjen e grave. Në mënyrë të veçantë, ajo e shtroi domosdoshmërinë që në buxhetin e vendit të sigurohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret për gratë të cilat i ekspozohën dhunës, si dhe që të kthehet pë diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, si ligj tepër i rëndësishëm për sigurimin dhe mbrojtejen e të drejtave të grave në shoqëri.

 

Përfaqësueset e Rrejtit të Grave të Kosovës, pasi e falënderuan znj. Osmani për pritjen, shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë ngushtë me institucionet e vendit për përmirësimin e mëtejmë të statusit të grave.

 

Ato u shprehën të bindura se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdes nga institucionet e reja dhe se, nëpërmjet përkrahjes që do t’ua japin atyre, Kosova do të dëshmojë shembull të kujdesit institucional ndaj viktimave të dhunës në familje.