Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

10.07.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot seancën plenare të ndërprerë mbrëmë, me pikën e radhës, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
 
Në emër të Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, nënkryetarja Doruntinë Maloku, paraqiti listën e kandidatëve potencialë për zgjedhjen e anëtarëve të këtij bordi, me rekomandimin e komisionit për zgjedhjen e me votim të fshehtë të 5 nga 10 kandidatët e propozuar për anëtarë të bordit të kësaj ndërmarrjeje publike.
 
Në vijim u votua për kandidatët e rekomanduar dhe komisioni vlerësues pas dy raundeve të votimit të fshehtë, konstatoi se nga radha e kandidatëve burra, anëtarë të Bordit Drejtorëve të KOSTT-it janë zgjedhur Arben Dodaj dhe Nebi Zeqiri, ndërsa kryesues i Bordit, Jeton Mehmeti.
 
Meqë kandidatet potenciale gra për këtë pozitë, kuotë kjo e paraparë me ligj, nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave për tu zgjedhur, u vendos që të shihet vlerësimi i komisionit nëse konkursi duhet të përsëritet apo do të gjendet ndonjë mundësi për përsëritje të votimit.
 
Seanca vazhdoi duke mbajtur një minutë heshtje për nder të viktimave të Srebrenicës dhe me fjalimet e deputetëve Rasim Demiri dhe Saranda Bogujevci për këtë masakër.
 
Seanca vijoi me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Bedri Hamza dhe 20 deputetëve të tjerë. 
 
Deputeti Hamza shpalosi rëndësinë e këtij komisoni, duke theksuar se procesi i privatizimit duhet të rishikohet e vlerësohet dhe si rezultat i kësaj, të nxirren përgjigje në të gjitha pyetjet rreth këtij procesi.
 
Me 77 vota për, Kuvendi i Kosovës formoi Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, i cili do të ketë 11 anëtarë.
 
Në këtë seancë u bë edhe shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) për vitin 2019.
 
Pas diskutimeve të deputetëve, raporti u hodh në votim dhe me 47 vota pro, 7 kundër dhe 22 abstenime, u miratua nga ana e Kuvendit. 
 
Më pas, deputetja Mimoza Kusari-Lila, si kryesuese e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së Virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, paraqiti dhe arsyetoi kërkesën për miratimin e buxhetit në shumën prej 16.440 euro. Kjo kërkesë me 80 vota për, asnjë kundër dhe 2 abstenime, u miratua po ashtu.
 
Në vazhdim të seancës, Kuvendi formoi edhe dy komisione Ad-hoc: për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe atë për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave. 
 
Më pas, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, para deputetëve paraqiti dhe arsyetoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit me nr. 07L001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
 
Sipas saj, propozimi është përgatitur në linjë me zhvillimet e fundit që janë krijuar nga situata me COVID-19, duke dashur që të merren parasysh dhe të adresohen çështjet sfiduese të krejt kësaj situate, sidomos rënia e të hyrave. Ajo tha se miratimi i këtij projektligji, do t’i jepë mundësi më të madhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
 
Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë, paraqiten qëndrimet e tyre pro dhe kundër projektligjit. 
 
Deputeti Hekuran Murati nga GP i VV-së, konsideroi se projektligji ka mangësi dhe madje, sipas tij, bie edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Ai numëroi disa nga mangësitë që janë hasur në të dhe aspekte të tjera që sipas tij, nuk mund të realizohen në terren. Rrjedhimisht, ai paraqiti qëndrimin e grupit të tij parlamentar kundër miratimit të këtij projektilgji.
 
Nga GP i LDK-së, deputeti Shkelzen Hajdini theksoi përkrahjen e plotë për miratimin e këtij projektligji, i cili, siç tha ai, do ta ndihmonte Qeverinë që të adresojë sfidat e shkaktuara nga pandemia COVID-19.
 
Në anën tjetër, nga GP i PDK-së, deputeti Bedri Hamza tha se ky buxhet nuk garanton rimëkëmbje ekonomike e as mbijetesë, ngase, sipas tij, është paraqitur në mënyrë mënyrë dëshirore.
 
Gazmend Abrashi nga GP i AAK-së, u shpreh se ky projektligj ka ardhur si domosdoshmëri në situatën në të cilën ndodhet vendi, andaj, sipas tij, buxheti i Kosovës duhet të reflektojë mbi këtë situatë dhe t’i adaptohet nevojave aktuale.
 
Ndërsa, nga GP i 6+, deputeti Fikrim Damka tha se ky grup parlamentar do ta përkrahin projektligjin, përderisa kërkesat e tyre do t’i adresojnë në komisionin funksional, para shqyrtimit të dytë.
 
Debati vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët, varësisht nga pozicionet politike të tyre dhe grupet parlamentare që përfaqësonin, shprehnin qëndrimet e në mbështetje ose në kundërshtim të projektligjit.
 
Po ashtu, u dhanë edhe një sërë propozimesh për projekte të ndryshme që, sipas deputetëve, duhet zënë vend në planifikimin buxhetor për pjesën e dytë të vitit.
 
Kryeparlamentarja Osmani e detyrua të ndërpresë seancën, pas tensionimit të situatës nga ana e disa deputetëve, të cilët u afruan te vendi i kryetares, e cila po drejtonte seancën.
 
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit, në një mbledhje menjëherë pas ndërprerjes së seancës, vendosi që seanca të vazhdojë të hënën, më 13 korrik 2020, në orën 14:00.