Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

11.08.2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i drejtuar nga zëvendëskryetari i parë Enver Haliti, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019.
 
Në emër të Komisionit prezantimin e raportit në mënyrë të përmbledhur e bëri deputeti Albert Kinolli, si deputet raportues, i cili foli për të gjeturat konkrete dhe rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
 
Kinolli, theksoi se ky raport, si opinion i pamodifikuar, paraqet pasqyrat financiare vjetore, duke dhënë një pamje të drejtë dhe të vërtetë me të gjeturat e tij.
 
“Pasqyrat financiare vjetore, për vitin e përfunduar paraqesin të dhëna të drejta dhe të vërteta në të gjitha aspektet materiale në përputhje me standardet ndërkombëtare”, theksoi Kinolli.
 
Meliza Haradinaj, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke folur para anëtarëve të Komisionit, theksoi se dy nga katër rekomandimet e dala, janë në implementim e sipër dhe dy të tjerat do të implementohen shumë shpejt.
 
“Ju siguroj që të gjitha rekomandimet do të implementohen dhe do të sigurohemi që me përpikmëri të gjitha të jenë të përfshira sipas standardit dhe ligjit”, theksoi Haradinaj.
 
Në vazhdim, deputetët pjesëmarrës, parashtruan pyetjet e tyre duke marrë përgjigjet nga ana e ministres Haradinaj, si dhe nga ana e sekretarit të ministrisë.
 
Duke pasur parasysh të dhënat e drejta dhe korrekte, pas shterjes së debatit deputetët u dakorduan që ky raport të mos procedohet fare për seancë plenare.