Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

01.12.2020

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ka mbajtur sot (e martë), mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Endrit Shala, kryetar, me të vetmen pikë të rendit të ditës: diskutim lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020 të Komisionit Evropian”.

Për të shtjelluar të dhënat e këtij raporti, nga i cili kanë dalur gjithsej 26 rekomandime, të ftuar në takim ishin ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, si dhe përfaqësues nga agjencitë e pavarura si: Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si dhe Agjencioni Kosovar i Konkurrencës (AKK).

Para anëtarëve të komisionit, të dy ministrat paraqiten rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian që ndikojnë direkt në fushëveprimtarinë e të dyja ministrive. Me këtë rast, ata listuan arritjet dhe ngecjet në implementim e këtyre rekomandimeve. 

Duke iu referuar secilit rekomandim që prek fushën e ministrive të sipërpërmendura, u theksua se është punuar, dhe po punohet drejt realizimit të tyre, duke u inicuar kështu projekligjet të reja; plotësim-ndryshime në ligjet ekzistuese; rregullore që adresojnë çështjet që kanë nevojë për përmirësim; hartim të plan-veprimeve; nënshkrim të memorandumeve të bashkëpunimit; ndarje të grandeve dhe subvencioneve për disa kategori të përmendura në rekomandime, si dhe mbajtje të trajnimeve, të cilat ndikojnë në fuqizimin e resurseve të brendshme. 

Po ashtu, nga ministri Krasniqi dhe Reçica u theksua se ndikimi i pandemisë Covid-19, ka vështirësuar marrjen e të gjitha hapave konkret për adresim të rekomandimeve, por megjithatë u treguan optimist në shtyrjen përpara të tyre, duke premtuar thellim të bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante.

Edhe nga përfaqësuesit e agjencioneve të pavarura të cilët ishin të pranishëm në këtë komision, u raportua për rekomandimet që bien në fushëveprimtarinë e tyre, dhe u shpalosen disa nga aktivitetet që kanë marrë për të shënuar progres, përfshirë këtu miratimin e ligjeve të reja nga Kuvendi i Kosovës; hartimin e rregulloreve të brendshme të agjencioneve; trajnimet e stafit në fusha specifike të kërkuara në rekomandime, si dhe hartimin e planeve konkrete të punës në çështjet me prioritet për adresim të rekomandimeve për vitin 2021.

Po ashtu, u përmenden edhe sfidat që po hasen gjatë implementimit të rekomandimeve, si dhe përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për të ngritjen e nivelit të zbatueshmërisë së tyre. 

Lidhur me çështjet e cekura më lartë, anëtarët e këtij komisioni paraqiten një sërë pyetjesh, duke marrë përgjigjet nga të ftuarit. Ndërsa, sa i përket zbatueshërisë së rekomandimeve, deputeti Shala, njoftoi ministrat Krasniqi dhe Reçica, si dhe përfaqësuesit e agjencive, se në baza të rregullta do të raportojnë në këtë komision, e që për mënyrën dhe afatin kohor të raportimit do të njoftohen me kohë.