Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere

23.09.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga Hekuran Murati, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë shqyrtuar raporte vjetore dhe financiare për vitin 2019 të disa nga institucionet e pavarura.

Fillimisht Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019, të cilin e ka prezantuar kryesuesi i Bordit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina.

Morina gjatë prezantimit të raportit tha se në vitin 2019 për herë të parë 25 për qind e investimeve ishin të orientuara në Kosovë, ndërsa shtoi se në rast se miratohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike ku parashihet edhe tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale, pritet që rreth 200 milionë euro të tërhiqen nga fondi.

Deputetët, anëtarë të Komisionit kanë bërë shumë pyetje për përfaqësuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës që kryesisht kishin të bëjnë me investimet jashtë dhe brenda vendit, numrin e kontributdhënësve, e po ashtu edhe nevojën e ndryshimit të Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Pas debatit, raporti vjetor i punës së FKPK-së u hodh në votim, duke marrë mbështetje unanime të Komisionit.

Komisioni po ashtu ka shqyrtuar edhe raportin vjetor financiar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2019, të cilin e ka prezantuar kryeatari Valon Prestreshi dhe i njëjti është miratuar nga anëtarët e Komisionit.

Ndërsa raporti vjetor financiar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019 nuk mori votat e anëtarëve të Komisionit.

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, si dhe janë miratuar edhe kërkesat buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2021 në bazë të qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2021/02.

Raportin e shpenzimeve dhe kërkesat buxhetore të Kuvendit, i ka paraqitur sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.