Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

13.03.2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i drejtuar nga Albena Reshitaj, kryetare, në mbledhjen e sotme diskutoi për masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen nga koronavirusi.

 

Drejtuesja e Komisionit bëri një rezyme të shkurtër të gjendjes së Kosovës dhe masave të marra nga qeveria lidhur me koronavirusin, sidomos tani, kur OBSH deklaroi se nga epidemi koronavirusi ka kaluar në pandemi.

 

Të gjithë deputetët që e morën fjalën, përshëndetën qeverinë për masat e marra deri tani, si dhe planin e saj për mbështetjen me 10 milionë euro. Në mirëkuptim të plotë, anëtarët e komisionit siguruan qeverinë për përkrahjen e tyre, duke shtruar edhe disa  rekomandime të mëtejshme si: të shihet mundësia e një shtese në pagë të punonjësve shëndetësorë, mbrojtje e gjithë personelit shëndetësor me mjetet e nevojshme të sigurisë, ndarjen e linjave të pritjes së pacientëve në spitale dhe kufizimin e tyre nëpër ambientet e tjera të spitalit, si shenjë e sigurisë për mbrojtjen e qytetarit, të ndalohen aktivitetet publike dhe ato sportive, ndërsa qeveria të mos ngurrojë në rritjen e buxhetit nëse është e domosdoshme për këtë rast, e të tjera.

 

Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe problemi i Ligjit të pagave.