Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi miratoi Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës

14.08.2020

Projektligji mori besimin e 77 deputetëve të Kuvendit, asnjë deputet nuk votoi kundër, ndërsa shtatë të tjerë abstenuan

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën plenare të radhës, nën udhëheqjen e kryetares dr. Vjosa Osmani.

 

Kryetarja Osmani i njoftoi deputetët se Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur më 12. 08. 2020, ka vendosur që pikë e rendit t ditës e kësaj seance të jetë edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit të lejeve të Hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

 

Në deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës, kishte diskutime të shumta, që lidheshin kryesisht me zhvillime shqetësuese në vend, si: incidenti i disa ditëve më parë në Karaçevë, operimi ilegal i kazinove në Kosovë, e shumë tema të tjera.

 

Në pyetjet e deputetëve, ndërkaq, përgjigje dhanë anëtarët e kabinetit qeveritar: zv/kryeministri Besnik Tahiri, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

 

Seanca vijoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, projektligj ky i iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe mbështetur nga pesë deputetë të tjerë.

 

Raportin e komisionit funksional e paraqiti Albena Reshitaj, kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me rekomandimin për miratimin e tij.

 

Pas procedurës së votimit për secilin amendament, kryetarja hodhi në votim projektligjin në tërësi.

 

Projektligji mori besimin e 77 deputetëve të Kuvendit, asnjë deputet nuk votoi kundër, ndërsa shtatë të tjerë abstenuan.

 

Po ashtu, me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u formua Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

 

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, të cilin para deputetëve e prezantoi ministrja Hykmete Bajrami, duke shkoqitur aspekte përmbajtësore të tij.

 

Ky projektligj nuk e mori mbështetjen e opozitës dhe rrjedhimisht nuk pati as kuorum për vendimmarrje.

 

Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVI-19 për Kosovën dhe atë për Ratifikimin e Marrëveshjes së huasë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për ndihmë makro-financiare për Kosovën, të futura në rend dite me shmangie nga afatet procedurale.

 

Të dy këto projektligje u miratuan nga Kuvendi.

 

Ndërkaq, as pas dy raundesh votimi, nuk u arrit të zgjidhej Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të cilën pozitë në garë ishin tre kandidatë. Asnjëri nga ta nuk arriti të marrë votat e nevojshme, prej 61 syresh.

 

Me pajtimin e të gjitha grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Osmani, njoftoi se seanca e sotme shënon edhe përfundimin e sesionit pranveror, por duke mos ua kufizuar komisioneve parlamentare mundësinë për të mbajtur mbledhje edhe gjatë kësaj periudhe.

 

Sesioni vjeshtor i Kuvendit do të fillojë të hënën e dytë të muajit shtator.