Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës do ta intensifikojë bashkëpunimin me Gjermaninë në fushën e integrimit evropian dhe sundimit të ligjit

12.03.2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani priti në një takim udhëheqësen e Bashkëpunimit për Zhvillim të Ambasadës Federale të Gjermanisë, znj. Anja Becky, si dhe përfaqësuesit e projekteve të implementuara nga GIZ në Kosovë, të cilat i ofrojnë ndihmë profesionale dhe financiare Kuvendit të Kosovës e që janë të financuara nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Ambasada Gjermane dhe GIZ-i shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen e Kuvendit, duke konfirmuar vazhdimin e mbështetjes në procesin e integrimit evropian, në aspektin e reformës ligjore dhe administrative, si dhe në drejtim të mbikëqyrjes së menaxhimit të financave publike.

 Duke e falënderuar shtetin gjerman dhe GIZ-in për përkrahjen e vazhdueshme, Kryetarja Osmani konfirmoi gatishmërinë e saj për të avancuar tutje bashkëpunimin në këto fusha si dhe për të zgjeruar këtë bashkëpunim dhe në fusha të tjera.

 “Integrimi evropian duhet të jetë pjesë kyçe e agjendës së Kuvendit të Kosovës e jo vetëm e një komisioni parlamentar dhe do të përkushtohem që kështu edhe të ndodhë gjatë mandatit tim”, u shpreh Kryetarja Osmani.

Ajo shtoi tutje se “në përputhje më këtë, do të sigurohem që Kuvendi të jetë edhe një institucion që do të sensibilizojë shoqërinë për çështje relevante të cilat deri me tani janë trajtuar vetëm në raste të izoluara, andaj pres që të bashkëpunojmë në drejtim të promovimit dhe avancimit të çështjeve të ndryshme që janë pjesë e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm". 

 

Tutje, Kryetarja Osmani shprehu përkushtimin e saj në drejtim të sigurimit të sundimit të ligjit, gjersa kërkoi mbështetje në drejtim të intensifikimit të ofrimit të asistencës teknike dhe profesionale për deputetët.

 Ndërkaq Ambasada Gjermane dhe GIZ-i, rikonfirmuan gatishmërinë për përkrahje në përputhje me prioritetet e Kuvendit të Kosovës.