Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi debatoi lidhur me gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë

03.12.2020

Me rastin e 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të deputetit Fetah Rudi, është mbledhur në një seancë të veçantë, për të debatuar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

 

Para mysafirëve, persona me aftësi të kufizuara, si dhe deputetëve të Kuvendit, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, se 3 dhjetori është ditë për të kuptuar se sa është dëshmuar e gatshme shoqëria kosovare për të përfshirë këtë kategori në të gjitha organizimet në vend. Ajo tha se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jete të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta, të cilët ajo i konsideroi potencial të jashtëzakonshëm, por që duhet t’u ofrohen mundësi të drejta e të barabarta.

 

“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht pak për t’i garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë. Shteti i Kosovës ende nuk ka të dhëna për numrin e personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Kosovë”, theksoi kryetarja Osmani, duke shtuar se pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta.

 

Ajo tha se është e pafalshme që vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuar vijojnë mësimin në shkolla publike në Kosovë, ndërkohë që 90% e tyre kanë mbetur jashtë shkollave.

 

Osmani shtoi se sfidat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara janë reflektim i dështimit të shoqërisë kosovare për t’u siguruar atyre mundësi të barabarta.

 

Duke marrë fjalën, deputeti Fetah Rudi, në cilësi të iniciuesit të kësaj seance, falënderoi kryetaren Osmani për përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të krijuar lehtësi të qasjes së tij dhe të personave të tjerë me aftësi të kufizuara në sallën e Kuvendit. 

 

Duke falënderuar të gjithë ata që e kanë bartur deri tani shkallëve deri në sallën e Kuvendit, ai tha se institucionet duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet që të ofrojnë qasje për personat me aftësi të kufizuara.

 

 

“Rivendosja e ashensorit po bëhet për mua, por do t’i shërbejë Kuvendit dhe personave me aftësi të kufizuara që në legjislaturat e ardhshme do të jenë deputetë, kryetar Kuvendi, president e ministra. Nga mungesa e deritanishme e ashensorit kuptuam se Kuvendi duhet t’i rishikojë ligjet për t’i larguar burokracitë ligjore. Ndërsa, të gjithë ne si deputetë duhet të veprojmë me kohë që të rregullohet qasja e personave me aftësi të kufizuara, pasi që është obligim ligjor”, theksoi deputeti Rudi.

 

Duke folur për vështirësitë që personat me aftësi të kufizuar hasin gjatë përditshmërisë se tyre për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme, Rudi tha se duhet të ndërmerren të gjitha masat për respektimin dhe plotësimin e kushteve për ta.

 

Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare, Fitim Uka (VV), Frashër Demaj (LDK), Besa Ismaili (PDK), Arbër Tolaj (AAK) dhe Arbëreshë Krasniqi (Nisma), paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e kushteve për persona me aftësi të kufizuara, në shumë segmente të jetës.

 

Ata theksuan nevojën që institucionet vendore por edhe shoqëria në përgjithësi, të rrisin jo vetëm kujdesin por edhe investimin në krijimin e kushteve të përshtatshme dhe të nevojshme për personat me aftësi të kufizuara.

 

Tutje, deputetë të tjerë të Kuvendit, e konsideruan të domosdoshëm dhe urgjent krijimin dhe zbatimin e infrastrukturës ligjore, si dhe hartimin e politikave të veçanta dedikuar kësaj kategorie të shoqërisë, të cilat do të lehtësonin jetën e personave me aftësi të kufizuara.

 

Po ashtu u adresuan edhe kritika të shumta kundruall institucioneve qëndrore dhe lokale ndër vite, për investimin e pamjaftueshëm në këtë drejtim.

 

Në emër të qeverisë, fjalën e mori ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili tha se gjendja e tanishme e personave me aftësi të kufizuar nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushte të barabarta me të tjerët. Ai paralajmëroi se ndër objektivat kryesore të qeverisë është miratimi i projektligjit të ri gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, përmes të cilit synohet të rregullohet statusi i personave me aftësi të kufizuar.

 

Në fund të diskutimeve, deputeti Fetah Rudi propozoi një rezolutë, për votimin e të cilës nuk kishte numër të mjaftueshëm deputetësh në sallë.

 

Kryesuesja e seancës, nënkryetarja Arbërie Nagavci, bëri të ditur se votimi i saj do të bëhet nesër, pas seancës së jashtëzakonshme.

 

Ndryshe, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës është bërë përurimi i ashensorit që mundëson qasjen e personave me aftësi të kufizuara në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit.