Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, takoi drejtoreshën për Evropën Jug-Lindore në MPJ-në e Gjermanisë, Susanne Schütz

09.01.2020
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim znj. Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane.
 
Znj. Schütz uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë legjislativ të vendit, duke i dëshiruar atij suksese në detyrën e re institucionale.
 
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Kosovës dhe Gjermanisë në të gjitha fushat, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij në të ardhmen.
 
Duke falenderuar diplomaten gjermane për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë për Kosovën, kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart rolin e Berlinit zyrtar si në konsolidimin e brendshëm institucional e demokratik të shtetit të Kosovës, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të tij.
 
Gjatë takimit, znj. Schütz shoqërohej nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Kristian Heldt.