Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit parlamentar për media

18.03.2015
Komisioni për media i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Sabit Rrustemi, vazhdoi sot shqyrtimin e Raportit të Komisionerit të përkohshëm për media, Robert Gillette, lidhur me prezantimin e protestave të marsit në televizionet e Kosovës. Në këtë bashkëbisedim ishin ftuar kryeredaktorët e tri televizioneve të Kosovës me shtrirje kombëtare (RTK, KTV dhe TV 21). Në mbledhje ishte ftuar edhe Komisioneri Robert Gillette, por ai nuk mori pjesë, meqë ishte i angazhuar në një takim tjetër.
Përfaqësuesit e mediave elektronike ishin unanim në vlerësimet e tyre se raportimi për protestat e marsit në Kosovë ishte profesional, i paanshëm dhe korrekt. Është e vërtetë se ka pasur disa raporte joprofesionale nga terreni, por ato nuk u bënë me qëllim të caktuar, madje lëshimet e tilla të vogla nuk ishin substanciale. Kemi raportuar shpejt e në mënyrë të matur, por nuk kemi mundur të fshehim gjërat.Mediat elektronike nuk ndikuan negativisht në ngjarje. Nuk duhet harruar faktin që raportimi nga këto ngjarje u bë në kushte të vështira, kur nuk kishte transparencë nga institucionet vendëse e ndërkombëtare mbi atë që ndodhte. Në dritën e këtyre fakteve vlerësimet e Raportit të Komisionerit të përkohshëm për media, Robert Gillette, përbëjnë akuza shumë të shpejta, më tepër të nxituara nga befasia e ngjarjeve.Raporti i komisionerit Gillette është i njëanshëm, ai është bërë pa bashkëpunuar me mediat dhe institucionet vendëse.
Në analizat mbi këto ngjarje vërehet tendenca për zhvendosje të fajit, si dhe përpjekja për disiplinimin e mediave. Mbrëtërojnë vështrime politike e jo profesionale, theksuan disa diskutues.
U tha se në Raportin e komisionierit Gillette ka gjëra të akceptueshme, sidomos në aspektin e domosdoshmërisë së ngritjes profesionale të gazetarëve, mirëpo kjo është edhe synim i përhershëm i mediave. Në këtë frymë u debatua edhe për qasjen e mediave në sendërtimin e rekomandimeve të Raportit në fjalë. Me theks të veçantë diskutuesit shtruan kërkesën për krijimin e infrastrukturës ligjore në lëmin e informimit, në mbështetje të të cilit më lehtë do të bëhëj edhe vlerësimi i punës së mediave.