Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci vizitoi Qendrën Administrative-Protokolare në Gërmi

20.10.2005

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i shoqëruar nga ministri për Ambient dhe Planifikim Hapësinor, Ardian Gjini dhe udhëheqësit kryesorë të Komunës së Prishtinës, ka vizituar sot vendpunishten e Qendrës Administrative-Protokolare në Gërmi dhe është njoftuar me mbarëvajtjen e punëve në ngritjen e objektit.

Profesor Daci është shprehur i kënaqur me dinamikën e punëve nga ndërmarrja “Mega”, kurse ka kërkuar që cilësinë e punës ta vlerësojnë ekspertët e ndërtimit. Ai e ka vlerësuar tepër të rëndësishme ngritjen e një objekti këtillë, i cili do t’ u shërbejë institucioneve të Kosovës për punë, pritje të delegacioneve të jashtme dhe për prezantim të mirë të tyre faqe botës. Ai ka kërkuar nga kryesi i punëve dhe udhëheqësit komunalë që të rregullohet hapësira rreth objektit dhe të shfrytëzohen ujërat e shumtë në funksion të bukurisë së ambientit.

Daci ka theksuar se gjërat e reja absorbohen me vështirësi nga një pjesë e shoqërisë, por ka shprehur shpresën se komforin e Qendrës do ta shijojnë edhe një pjesë e kritikuesve të ngritjes së saj. Ai ka thënë gjithashtu se Kosova doemos do të bëhet shtet dhe duhet t’i ketë rezidencat e saj, duke paralajmëruar funksionalizimin e disa prej tyre, si asaj në Blinajë dhe në Brezovicë dhe rindërtimin e asaj në Grykë të Rugovës.

Ministri Ardian Gjini ka theksuar se ky objekt reprezentativ është plotësisht legal dhe vetëm sa e zbukuron ambientin piktoresk të Gërmisë.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe ai Ekzekutivit, Beqiri dhe Hamiti, kanë spikatur se për Qendrën Administrative-Protokolare është zgjedhur vendi më i mirë në Prishtinë dhe se kryeqyteti i Kosovës e ka merituar një rezidencë të tillë për institucionet e vendit.