Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti shefin e OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt dhe ka biseduar me të për zhvillimet në Kosovë, në vigjilje të përcaktimit të statusit të vendit, për rregullativën e zgjedhjeve të ardhshme dhe për çështje të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet legjislativit të vendit dhe OSBE-së.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për punën shumë të mirë të OSBE-së në organizimin e katër parë zgjedhjeve në Kosovës dhe kanë shprehur vizionet e tyre për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Zgjedhjet me rregullore apo me ligj? 

Ambasadori Wnendt është shprehur se edhe zgjedhjet e ardhshme do të mbahen sipas rregullores së UNMIK-ut, kurse kryeparlamentari Daci ka këmbëngulur që çështja të rregullohet me ligj të veçantë. Në fund bashkëbiseduesit janë pajtuar që Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, OSBE-ja dhe Kuvendi të bashkëpunojnë për hartimin e Ligjit për zgjedhjet.

Të mos na bëhen propozime të cilat nuk funksionojnë askund në Evropë

Në interesimet e mysafirit për hapësirat demokratike që mundëson legjislativi i vendi, Daci është shprehur se dëgjohen të gjitha mendimet e përfaqësuesve të subjekteve politike në Kuvend, por në fund vendoset me shumicë votash. Ai madje ka tërhequr vërejtjen që institucioneve të Kosovës të mos u bëhen propozime të cilat nuk funksionojnë askund në Evropë.

Për Rezolutën e propozuar

Ndërkaq, lidhur me Rezolutën e propozuar nga kreu i PDK-së, ka thënë se duhet të respektohen procedurat, konform mandatit që Grupi punues ka marrë nga seanca plenare dhe se kur të plotësohen kushtet, Kryesia do të mblidhet dhe do të vendosë për ta vënë në rend dite për miratim.

OSBE-ja do ta ndihmojë Grupin negociator

Ambasadori Wnendt ka paralajmëruar që OSBE-ja do të përgatisë gjithë mekanizmat e Grupit negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës si: simulimin e negociatave, hartimin e marrëveshjeve, zhvillimin e strategjisë negociuese etj.

Kosova të ketë bashkëpunim interparlamentar

Kryeparlamentari Daci, ndërkaq, ka kërkuar që Kosova të ketë bashkëpunim interparlamentar dhe të krijojë mekanizmat e Kuvendit, të cilët do të aranzhojnë dhe të përcjellin këtë bashkëpunim.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se është arritur një partnerizëm shumë i mirë ndërmjet Kuvendit dhe OSBE-së, i cili duhet të vazhdojë edhe pas përcaktimit të statusit të Kosovës.