Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Kryesisë takojnë ambasadorët e OSBE-së

18.03.2015

Një delegacion 25 anëtarësh i ambasadorëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian me seli në Vjenë është pritur sot në një takim të përbashkët nga kryeparlamentari Daci dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht zotëri Daci i ka njoftuar ambasadorët e OSBE-së për zhvillimet në Kosovë, për përbërjen dhe punën e institucioneve dhe përgjithësisht për synimet e tyre dhe të popullit të Kosovës për ardhmërinë vendit.

Pavarësia Kosovës është e panegociueshme

Pavarësia Kosovës është e panegociueshme, ka ripërsëritur qëndrimin e tij të njohur kreu i legjislativit të vendit, por ka theksuar se mund të bisedohet edhe me ndërkombëtarët, por edhe me Serbinë, rruga realizimit të vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi. Ai ka pohuar se vetëm njëra nga 17 subjektet e përfaqësuara në Kuvend nuk mbështet pavarësinë.

Do të jemi një shtet normal

Kosova ka resurse njerëzore dhe natyrore për të qenë shtet normal, ka thënë Daci dhe i ka garantuar ambasadorët e OSBE-së se Kosova do të jetë një vend i hapur demokratik, në të cilin minoritetet do të kenë zhvillim të lirë e të garantuar.

Për Misionin e KFOR-it dhe dhe të OSBE-së

Ai ka thënë gjithashtu se krahas bisedave për përcaktimin statusit të vendit do të punohet edhe për përmbushjen e standardeve dhe ka pohuar se Misioni i KFOR-it dhe ai i OSBE-së do të jenë të nevojshme edhe pas njohjes së pavarësisë së vendit. Në këtë vështrim Daci ka lavdëruar punën e UNMIK-ut për rindërtimin e vendit, në tri vitet e para pas luftës dhe sidomos punën shumë të mirë të PSSP-së, Petersen dhe zëvendësit të tij Rosin lidhur me kultivimin e raporteve të mira me institucionet vendëse dhe përgatitet për përcaktimin e statusit për Kosovën.

OSBE-në, ndërkaq, Daci e ka lavdëruar për organizimin e katër parë zgjedhjeve në Kosovë, të cilat janë vlerësuar si më të mirat në rajon.

Nuk priten trazira dhe destabilizim i gjendjes

Duke u përgjigjur në pyetjet e ambasadorëve të OSBE-së për gjendjen e sigurisë në Kosovë, sidomos në fazën e bisedave për statusin, Daci është shprehur se megjithëse Kosova ende nuk ka kompetenca për siguri dhe drejtësi, nuk pret trazira dhe destabilizim të vendit, madje ka shtuar se Prishtina vazhdon të jetë qytet më i sigurt se Nju Jorku, Londra, Parisi a Berlini.

Për komoetenca në drejtësi dhe siguri

Megjithëkëtë ai ka këmbëngulur në krijimin sa më parë të Ministrisë së Drejtësisë, të asaj të Punëve të Brendshme dhe të Shërbimit inteligjent, si parakusht për një siguri më të mirë në vend.

Beogradit i është marrë me luftë sovraniteti mbi Kosovën

Në pyetjen e ambasadorit të Serbisë dhe të Malit të zi, Garçeviq, se mos qëndrimi i fortë kosovar për panegocueshmërinë e statusit do të dëmtonte procesin e bisedimeve dhe do të ishte dekurajues për serbët e Kosovës, Daci është përgjigjur se të bisedosh për status me vendin i cili edhe pas gjashtë vjetësh të luftës nuk i kthen trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë nga ushtria dhe policia e tij, do të thotë të mos e zgjidhësh atë edhe po të bisedosh për gjashtëqind vjet. Ai, ndërkaq, ka rikujtuar faktin se Beogradit i është marrë me luftë sovraniteti mbi Kosovën, se ai aktualisht ndodhet në KS të OKB-së dhe se do t™i jepet popullit të Kosovës.