Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti delegacionin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , akademik Nexhat Daci, priti sot delegacionin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, kryesuar nga prof. dr. Jahi Hoxha. Temë themelore shqyrtimi ishin rrjedhat aktuale në Universitet, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me pengesat që dalin në rrugën arsimore e shkencore të studentëve dhe profesorëve. Ishte vlerësim unanim se pozita e Universitetit të Prishtinës aktualisht është shumë e rëndë. Kjo situatë po vazhdon qe 15 vjet, posaçërisht gjatë okupimit. Edhe në vitet e lirisë Universiteti nuk po e gëzon përkrahjen e merituar , theksoi kryeparlamentari Daci.

Ekziston një moskuptim i Qeverisë dhe brenda saj edhe i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ndaj strukturës së re udhëheqëse të UP, e cila e ka marrë një barrë të rëndë mbi supe. Është fjala për përkrahje në kohë të duhur , e jo mungesë vullneti. Dinamika e zhvillimit të proceseve në UP nuk duron prolongime.

Në këtë frymë kryeparlamentari Daci i premtoi udhëheqjes universitare mirëkuptim për tejkalimin e pengesave që kanë rreth zbatimit të Ligjit për menagjimin e financave publike. Kuvendi i Kosovës do të marrë përsipër që në procedurë të shpejtuar parlamentare të bëhet amendamentimi i këtij ligji.

Duke folur për vështirësitë financiare me të cilat po ballafaqohet UP, Jahi Hoxha theksoi se në këtë aspekt Universiteti gjendet në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë. Kjo po e pamundëson kthimin e kuadrove të reja që kanë fituar gradat në Perëndim, por njëkohësisht ndikon edhe në ikjen e kuadrove që aktualisht ekzistojnë në UP. Ndryshimi i disa dispozitave të Ligjit të përmendur do të mundësonte që Universiteti vetë të menagjojë atë pjesë të buxhetit që e krijon nga participimi i studentëve dhe nga të ardhurat tjera.

Kërkesat e udhëheqjes së UP-së nuk cenojnë kompetencat e Qeverisë dhe të Kuvendit, ato hapin fronte pune për studentët dhe kuadrot e reja universitare drejt ngritjes arsimore e shkencore . Kemi qenë të preokupuar dhe jemi me probleme të mëdha politike, në shtegun e realizimit të ëndrrës shekullore. Tash jemi në finale të zgjidhjes së statusit dhe sikur harruam problemet e ditës në arsim dhe shëndetësi. Pas zgjidhjes së statusit do t™ iu kthehemi me rend zgjidhjes së të gjitha këtyre problemeve. Ndaj, duke ditur të gjitha këto, kryeparlamentari Daci ftoi studentët dhe profesorët që të hënën të jenë në Universitet për të vazhduar betejën e dijes. Kësaj ftese le t™ i përgjigjemi të gjithë, pa kurrfarë arsyetimi, ishte porosia thelbësore e kryeparlamentarit Daci.