Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës

18.03.2015

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, në kuadër të nismës që ndërmori kohë më parë, që Qeverisë së Kosovës t™ i propozohet një Program i kursimit të shpenzimeve, në mbledhjen e sotme, në të cilën merrnin pjesë edhe zëvendësministri dhe drejtori i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, përkatësisht Muharrem Ibrahimi dhe Agim Krasniqi, zhvilloi një debat të gjerë rreth mundësive të racionalizimit të shpenzimeve nga ana e organizatave buxhetore.

Megjithëse disa diskutues ishin të mendimit se para se të fillojë debati do të ishte mirë që të kenë si mbështetje një material , i cili në mënyrë më specifike do të tregonte se në cilët lëmenj shpenzohet më shumë, kuptohet në mënyrë të paarsyeshme , ata u përpoqën të shënjojnë segmentet ku vërehen lehtë shpenzime të larta. Në këtë vështrim u tha se shpenzime të larta hetohen gjatë përdorimit të veturave, në mëditje , reprezentacione, udhëtime zyrtare etj. Konstatime të ngjashme kishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Në pajtim me këtë u propozua që të bëhet një normativ lidhur me kriteret e shpenzimeve në këta lëmenj, për të bërë reduktime të mëdha. Kontrolli i shpenzimeve është më se i nevojshëm, ndërsa në praktikën e deritashme, sidomos mëditjet, nuk i nënshtrohen kurrfarë kontrolli.

U fol edhe për shpenzimet në mallra , shërbime dhe në investimet kapitale. Edhe këtu ka vend për racionalizim, por duhet të kihet parasysh se reduktimet e tilla nuk duhet të shkojnë në dëm të funksionimit dhe mirëmbajtjes së investimeve.

Debati ishte edhe një kontribut i rëndësishëm në prag të përgatitjeve të Planit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2006, i cili do të jetë 14 milionë më i vogël se buxheti i sivjetshëm.

Nga përfaqësuesit e Ministrisë u theksua se drafti i Buxhetit për vitin e ardhshëm do të jetë shumë më i detajizuar, për të parë se në cilët lëmenj duhet kërkuar racionalizimin e shpenzimeve.