Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin e Italisë në OSBE, Bascone

18.03.2015

Në takimin që ka pasur sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me ambasadorin e Italisë në OSBE, Francesco Bascone është biseduar për rrjedhat në Kosovë para fillimit të bisedimeve për përcaktimin e statusit të vendit, për marrëdhëniet e institucioneve të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë, sidomos me OSBE-në dhe për sigurinë dhe të drejtat e minoriteteve.

Pa divergjenca me ndërkombëtarët 

Kryeparamentari Daci është shprehur se që nga ardhja në Kosovë e kryeadministratorit Petersen, marrëdhëniet e institucioneve të vendit me ndërkombëtarët nuk kanë shënuar asnjë divergjencë. Ai, ndërkaq, ka lavdëruar punën e Zyrës Italiane në Prishtinë dhe atë të përfaqësuesit italian në Grupin e Kontaktit.

Një ligji të mirë për zgjedhjet

Daci ka vlerësuar edhe angazhimin e OSBE-së, sidomos për mbajtjen e zgjedhjeve të suksesshme në Kosovë dhe ka shfaqur shpresën se ajo do të ndihmojë edhe në hartimin e një ligji të mirë për zgjedhjet e ardhshme dhe përgjithësisht për zbatimin e legjislacionit të miratuar në Kuvend.

Favore për serbët e Kosovës

Duke folur për të sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe për të drejtat e minoriteve, Daci ka thënë se serbët Kosovës gëzojnë favore më shumë se çdo minoritet tjetër në Evropë. Megjithëse refuzojnë të marrin pjesë në institucione dhe në procesin e decentralizimit, serbët me vetëm pesë për qind të popullsisë kanë arsim deri edhe universitar, kurse serbishtja është njëra nga gjuhët zyrtare në Kosovë, ka pohuar kreu i legjislativit të vendit.

Urgjentisht dy ministritë e reja 

Por që të jetë më e mirë siguria për të gjithë qytetarët tanë, duhet të krijohen Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme, ka nënvizuar Daci.

Probleme në implementimin e ligjeve

Ambasadori i Italisë në OSBE, Francesco Bascone është shprehur se nuk mund të thuhet se është bërë pak në Kosovë. Ai është shprehur i kënaqur për raportet e ndërmjet institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë, ka vlerësuar punën e legjislativit në miratimin e ligjeve dhe ka shtuar se edhe vendet me tradita ligjvënëse kanë probleme në implementimin e ligjeve të miratuara.