Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i mbajtur në Konferencën “Interfaith Kosovo”, më 2 Qershor 2016

Koha t'u tregojmë ekstremistëve se religjionet janë vlerë e jona, e jo instrument i tyre Dje pasdite, po bisedoja me mikun tim, Rabinin Bemporad, se si brenda çdo tradite religjioze, mësimi themelor është rruga e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes njerëzve. Sot, të gjithë ne, kudo që jetojmë, në katër anët e globit, ballafaqohemi me kërcënimin që po i bëhet thelbit humanist të religjionit.

Grupe të ndryshme ekstremiste, në mungesë të ideologjive tjera, përpiqen të instrumentalizojnë shkrimet e shenjta për të përligjur dhunën kundër të tjerëve, si dhe interesat e vrazhda ekonomike dhe politike. Ashtu si qëllimet e tyre, edhe vizioni i tyre është i errët. Ata duan një botë të armiqësive mes kulturave dhe religjioneve. Një botë të kaosit, ku dinjiteti, liritë dhe të drejtat e njeriut të humbin peshën dhe vlerën e tyre. E tërë kjo ka dimensionin e një sfide globale për njerëzimin.

Është koha që edhe më shumë të bashkohemi rreth vlerave liberale dhe demokratike. Është koha, që brenda traditave tona të ndryshme kulturore e fetare, të ri zbulojmë burimet e mirëkuptimit dhe solidaritetit me njeri tjetrin. Është koha t'u tregojmë ekstremistëve se religjionet janë vlerë e jona, e jo instrument i tyre. Religjioni është tepër i rëndësishëm për ta lënë në duart e tyre. Është koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm.

Vetë kjo konferencë, me një pjesëmarrje kaq globale, me emra të nderuar të dijes e humanizmit, është në funksion të këtij qëllimi të përbashkët. Republika e Kosovës është një vend i vogël, por ka pasur fatin historik të

trashëgojë një traditë të madhe e të fuqishme, të rrënjosur thellë në shpirtin e njerëzve të saj,  - traditën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme.

Historia jonë është historia e një territori, ku përgjatë shekujve, janë ndeshur perandoritë e ndryshme, të lindjes e perëndimit. Është historia e një territori ku janë takuar kulturat dhe religjionet e ndryshme dhe kështu i kanë dhënë jetë pasurisë kulturore që ka sot rajoni ynë. Sot, vendi ynë mburret me faktin se është pjesë e kësaj pasurie e trashëgimie. Sot, në kushtet e globalizimit, flitet shumë për qytetarin multikulturor, pra qytetarin që në identitetin e tij bartë disa përkatësi kulturore. Shekuj me herët, kur në vendet tona ballkanike, po takohej Krishterimi me Islamin, populli ynë krijoj individin multireligjioz, pra individin që bartë në identitetin e tij më

shumë se një përkatësi religjioze. Është pikërisht ky individ, me të cilin zë fill tradita jonë e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës religjioze, dhe pamja e bukur tradicionale e qyteteve tona ku kishat, xhamitë dhe sinagogat i kanë bërë hije njëra tjetrës. Ne jemi krenarë me këtë traditë dhe e ndjejmë veten të lumtur se shpirti i kësaj

tradite është në përputhje me vizionin që kemi sot për vendin tonë, - vizionin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ne jemi plotësisht të përkushtuar në përmbushjen e këtij vizioni dhe ndihemi të lumtur se nuk kemi asnjë vizion tjetër alternativ për të ardhmen tonë. Nuk kemi, dhe nuk mund të kemi, sepse Kosova fizikisht dhe shpirtërisht është vend evropian. Kohëve të fundit, ne ballafaqohemi me një tendencë, herë të qëllimshme e herë

jo, për ta paraqitur vendin tonë si një tokë pjellore për radikalizmin fetar. Duke njohur shpirtin e njerëzve të këtij vendi, e them me bindje të plotë, se ky është një perceptim i pavërtetë, sipërfaqësor dhe gjithsesi i përkohshëm. Nuk është e drejtë,  as e moralshme, që të gjykojmë për një vend, për kulturën dhe institucionet e tij, duke marrë për bazë veprimet e një grupi të vogël individësh.

Ky është paragjykim, dhe paragjykimet asnjëherë nuk i kanë ndihmuar paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve. Përkundrazi, ato janë instrumente në duart e fanatikëve dhe ekstremistëve të dhunshëm. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar, me tërë qenien e saj, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne kemi pasur rezultate të prekshme në këtë drejtim dhe aleatët tanë na janë falënderuar për këto rezultate. Ne jemi të sigurt në fitoren kundër tendencave të ekstremizmit të dhunshëm, jo vetëm për shkak të masave efektive institucionale, por më shumë për shkak të shpirtit sekular të qytetarëve tanë.

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com