Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalë rasti e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, mbajtur në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës së Holokaustit

Të nderuar të pranishëm,

Sot përkujtojmë njërën nga ngjarjet më të rënda në historinë e njerëzimit, holokaustin.


Kjo ditë shënon një nga ngjarjet më të errëta dhe më barbare që simbolizon urrejtjen e njeriut ndaj njeriut.


Në emër të luftës së racave, nazizmi ndërtoi kampet e shfarosjes dhe zhyti gjithë botën në Luftën e Dytë Botërore, e cila u mori jetën e rreth 60 milionë njerëzve.


Holokausti është padyshim pika më e zezë, tragjedia më e rëndë, në kontekstin e kësaj lufte.


Antisemitizmin, nazizmi e shndërroi në politikë shtetërore, fillimisht të persekutimit, e më pas edhe të shfarosjes totale të hebrenjve. Kjo shfarosje ishte një proces i planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar me saktësi. Mbi 6 milion hebrenj dhe rreth 1 milion të tjerë, të grupeve tjera, që konsideroheshin raca inferiore, u bënë viktima të kësaj industrie makabre.


Ndërgjegjja njerëzore ishte goditur për vdekje. Si asnjëherë më parë në histori. Mbi natyrën njerëzore ishte vënë një pikëpyetje e madhe:


Si është e mundur që njeriu të bëjë diçka të tillë kundër njeriut?
Në ato ditë të errëta për njerëzimin, derisa trenat nga e gjithë Evropa dërgonin hebrenj drejt kampeve të shfarosjes, në periferi të Evropës po ndodhte një mrekulli:


Mrekullia e humanizmit!


Një popull i vogël dhe i lashtë, duke bartur mbi vete një kod të nderit dhe besës, po i refuzonte trenat e industrisë naziste të vdekjes.


Ky ishte populli shqiptar.


Të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, shqiptarët i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, sikur ta dinin që një ditë treni do të bartë edhe pasardhësit e tyre. Sikur ta dinin që historia e errët do të përsëritet në fundin e shekullit XX për shqiptarët e Kosovës nga një sistem po aq i egër sa ai nazist.


Zhurma e trenit të Bllacës është ende e freskët për ne, që na bën të bashkë ndjejmë edhe më tepër me fatkeqësinë e miliona viktimave të Holokaustit.


Sot, kur ne përkulemi para këtij kujtimi dhe njëkohësisht, përkulemi me respekt, para veprës së qindra familjeve shqiptare që strehuan në vatrat e tyre hebrenjtë e ikur.


Ne sot ndihemi krenarë se jemi pasardhës të këtyre familjeve.


Krenarë me nënat dhe baballarët tanë që mposhtën frikën dhe i qëndruan besnik kodit të tyre të besës, por edhe thirrjes së moralit njerëzor për të ndihmuar të shtypurin, viktimën, njeriun.


Në shtatorin e vitit që shkoi, unë prita në takim zonjën Stela Levi, një qytetare hebreje e lindur në Kosovë dhe e mbijetuar e Holokaustit.


E përmalluar, ajo më tregoi, për humanizmin heroik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve nga terrori nazist. Erdha, më tha, që të çmallem me këtë tokë të bekuar dhe t'u tregoj pas-ardhësve të mijë për shpirtin human dhe solidar të kësaj toke.


Zonja Levi më tregoi edhe për jetën e komunitetit hebre në Kosovë. Rrëfimi i saj përputhej me sa e sa rrëfime që kam dëgjuar gjithandej Kosovës nga Familja e Asllan Rezniqit, Familja Sharri, Familja e Hysni Domit, Familja Lleshi, Familja e Hasan Remë Xërxës, Halim Spahiut e shumë familje të tjera.


Komuniteti hebre në Kosovë është një komunitet i respektuar. Vetëm pak metra nga këtu ishte sinagoga e cila përballë kishte xhaminë dhe pak më tutje edhe kishën katolike. Një simbolikë e fuqishme e bashkëjetesës fetare.

Të nderuar të pranishëm,

Vet historia jonë, na bën të besojmë se me gjithë vuajtjet e dhimbjet, gjithmonë humanizmi triumfon mbi barbarinë, e mira triumfon mbi të keqën, e drejta mbi padrejtësinë.


Përkujtimi i Holokaustit është mësimi më i madh nga historia për njerëzimin, kur e përkujtojmë Holokaustin ne ia përkujtojmë njerëzimit që ideologjitë e urrejtjes të mos kenë mundësi të kthehen.


Kur e kujtojmë Holokaustin, ne e kuptojmë se sa shumë duhet të punojmë: në forcimin e demokracisë kudo që mundemi, për veten dhe të tjerët. Në forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, në kultivimin e vlerave të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes kulturave, religjioneve dhe shteteve. Janë pikërisht këto vlera që na bëjnë më të fuqishëm përballë çdo lloj fanatizmi ideologjik apo fetar.


Fati i njerëzimit varet prej tyre.


Ju faleminderit!

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com