Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i kryetarit Kadri Veseli, në ceremoninë e shënimit të 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor Hivzi Islami,

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,

Ministër i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, profesor Arsim Bajrami,

Të nderuar akademikë,

Kryetarë të akademive të rajonit dhe më gjerë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që sot marrë pjesë në këtë përvjetor jubilar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Përvjetorët jubilarë janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti. Janë momente që na mundësojnë të shohim rrugën që kemi bërë në të kaluarën,

Por edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen të cilën duam ta ndërtojmë.

Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, janë njëkohësisht dyzet vite të historisë sonë më të re, janë vitet e ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore. Vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike, vite të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.

Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij.

Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik.
Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit.

Nëse ka një thënie që më se miri e shprehë punën e Akademisë sonë të Shkencave dhe Arteve,është thënia,urti e lashtë, që thotë: E VËRTETA NA BËN TË LIRË.
Ne u bëmë të lirë,kur e vërteta historike e popullit tonë, triumfoi mbi gënjeshtrën, manipulimin, falsifikimin e historisë dhe mbi ideologjitë e shtypjes.

Të nderuar akademikë,


Ju duhet të ndiheni krenarë me punën tuaj në shërbim të kësaj të vërtete dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Së bashku me qindra intelektualë, profesorë, arsimtarë, e studentë, që në kohë të ndryshme, e rrethana të ndryshme, u angazhuan për të vërtetën dhe lirinë.

Ne, sot, kujtojmë më respekt, Gazmend Zajmin - akademikun e kushtetutës,
- Fehmi Aganin - akademikun e politikës,
- Esat Stavilecin - akademikun e drejtësisë,
- Dervish Rozhajën - akademikun e shkencës,
- Mark Krasniqin - akademikun e kulturës,
- Aleksandër Stipçeviqin - akademikun e origjinës ilire të popullit tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Sot Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran. Liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton. Sot ne duhet të punojmë për lirinë e kuptuar si zhvillim.

Është zhvillimi që sjell paqe,mirëqenie,demokraci dhe marrëdhënie të civilizuara në mes popujve dhe shteteve.

Janë pikërisht këto vlera në të cilat besojnë qytetarët tanë,beson shteti ynë,por edhe kjo Akademi e nderuar.

Të nderuar të pranishëm,


Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit.

Por kjo nuk është e gjitha.

Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetëror, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend.

Dhe këtu, në këtë drejtim, ne, të gjithë së bashku, si institucione, akademi, universitete, duhet të bëjmë më shumë!

Ju faleminderit!

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com