Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në Konferencën e Parë Vjetore për Partneritet

I nderuari shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasador Zhan Klod Shlumberger,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë,

Sot na ka bërë bashkë një çështje shumë e rëndësishme që lidhet me funksionimin e demokracisë sonë parlamentare. Kjo është çështja e partneritetit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Shoqërisë civile.

Pa dashur që të hyjmë në histori, është e nevojshme që të theksojmë faktin se shoqëria civile vazhdimisht ka pasur një rol aktiv dhe produktiv në zhvillimin e proceseve dhe institucioneve demokratike në vendin tonë.

Shoqëria civile ka qenë dhe vazhdon të jetë një promotore e rëndësishme e vlerave demokratike, të mishëruara sot në Kushtetutën dhe sistemin politik të Republikës së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucioni më i lartë i përfaqësimit politik të qytetarëve, është shumë i përkushtuar në zhvillimin e një raporti produktiv me shoqërinë civile, në të mirë të qytetarëve dhe forcimit demokratik të shtetit tonë.

Derisa në të kaluarën është folur për një raport dialogu në mes Kuvendit dhe shoqërisë civile, sot ne mund të flasim për avancimin e këtij dialoguar në raport partneriteti në mes këtyre dy shtyllave të demokracisë sonë të re.

Ne besojmë fuqishëm më vlerat e këtij partneriteti, sepse qëllimi është i përbashkët: që përfaqësimi politik i interesave të qytetarëve të jetë sa më gjithëpërfshirës në proceset legjislative të Kuvendit të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Në prill të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar "Deklaratën për partneritet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile", me shumicë absolute të votave të deputetëve.

Deklarata u hartua nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vitin 2013.
Ajo mori mbështetjen e OSBE-së dhe të dhjetëra organizatave të shoqërisë civile, në një sërë tryezash të rrumbullakëta anembanë Kosovës.

Sot ne jemi bashkuar që të diskutojmë planin e veprimit, në mënyrë që viti 2016 të jetë vit i zbatimit të parimeve të kësaj deklarate të partneritetit.

Janë të shumta fushat e bashkëpunimit e të partneritetit. Kjo konferencë do t'i prezantoj këto fusha bashkëpunimi. Qëllimi i parë i përbashkët i yni është transparenca e punës parlamentare.

Që në fillim të punës sime si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, kam potencuar rëndësinë e transparencës së plotë në punën e legjislativit tonë.

Deputetët janë të zgjedhur të qytetarëve dhe qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar se si po punojnë të zgjedhurit e tyre, si po hartohen ligjet dhe si po merren vendimet publike.

Në funksion të këtij qëllimi është rritur akcesi i mediave në punën e legjislativit në të gjitha nivelet.

Por e drejta e informimit të qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre nuk mjafton. Një dimension tjetër është po aq i rëndësishëm.

Fjala është për pjesëmarrjen e publikut në proceset legjislative të cilat i zhvillon Kuvendi. Kur flas për këtë pjesëmarrje, kam parasysh idenë që Kuvendi, sidomos në nivelin e komisioneve parlamentare, të jetë i hapur për ide dhe iniciativa ligjore që mund të burojnë nga organizatat e shoqërisë civile, shoqatat e grupeve të interesit si dhe komuniteti i biznesit.

Rëndësia e këtyre iniciativave qëndron në tri rrafshe:
• Draftimin e ndonjë projektligji deficitar,
• Përmirësimin e projektligjeve në procedurë dhe ligjeve ekzistuese,
• Shndërrimin e legjislativit në një faktor stimulues të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Zhvillimi ekonomik është faktori vendimtar që na garanton forcimin e shtetit demokratik dhe shoqëria civile duhet të japë kontributin e saj të rëndësishëm në këtë drejtim, por duke shmangur tendencat, shumë herë të shprehura të partizimit të elementëve të saj, përfshirjen në interesa të ngushta personale e grupore, tendencat e keqraportimit mbi realitetin e vendit tonë.

Kuvendi i Kosovës do të japë kontributin e tij në partneritetin e domosdoshëm me shoqërinë civile.

Ne do ti qëndrojmë besnikë këtij partneriteti, por besoj fuqishëm që edhe shoqëria civile do ta bëjë të njëjtën gjë, në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve, në të mirë të ecjes sonë në rrugën e zhvillimit ekonomik, konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik.

Të gjithë ne që sot këtu po bashkëbisedojmë, jemi të vetëdijshëm për problemet me të cilat ballafaqohen institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ashtu sikurse në institucionet shtetërore ka individ që abuzojnë me përgjegjësitë institucionale, edhe në organizatat e shoqërisë civile ka individ që abuzojnë me parimet dhe kauzën e shoqërisë civile. As pushteti nuk është një komunitet djajsh, e as shoqëria civile nuk është një komunitet engjëjsh.

Të dy palët kanë meritat dhe dobësitë e tyre.

Prandaj, ky partneritet në mes Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile është një mekanizëm i përbashkët që na ndihmon t'i pakësojmë dobësitë dhe zhvillojmë vlerat. Demokracia liberale dhe shoqëria civile janë bashkudhëtar të pandashëm.

Në fund më lejoni të bëj një digresion.

Dje, ne si Kosovë morëm një lajm aspak të merituar nga Bashkimi Evropian, për mundësinë e mosdhënies së rekomandimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Prej 5 vitesh vendi ynë, populli ynë, është vendi dhe populli më i izoluar në Evropë. Një izolim i pamëshirshëm dhe gjithsesi i pamerituar.

Bashkimi Evropian i ndërtuar mbi idenë e lirisë së lëvizjes së njerëzve po krijon në zemër të saj, një geto të re, për një popull po aq evropian sa të gjithë popujt tjerë të kontinentit.

Ne kemi vazhduar të jemi evropian edhe në kohërat e sundimit shekullor nga fuqitë joevropiane, dhe do të jemi evropian edhe tani përballë këtij izolimi të pamerituar dhe diskriminues.

Ne si shtet i dimë dobësitë tona, por një vendim eventual i BE-së për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nuk është pasojë e dështimit të Kosovës, është pasojë e dështimit të unitetit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën.

Duke mos liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës Bashkimi Evropian po dëmton vetë interesin e saj për një rajon stabil dhe mundësinë e pajtimit ndëretnik.

Sidoqoftë, ky vendim duhet të shërbejë si një shenjë e re që ne të vazhdojmë edhe më fuqishëm të punojmë në avancimin e demokracisë sonë, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e orientimit tonë properëndimor.

Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet evropiane përgjithmonë.

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com