Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga,
Të nderuar të pranishëm,

Vendi ynë është duke kaluar nëpër sfida të vështira. Këto janë sfidat e konsolidimit të shtetit në të gjitha segmentet e tij. Në rrafshin ndërkombëtar ende kemi probleme shumë serioze të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

Në rrafshin e brendshëm janë bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit, por punët e pakryera ende janë shumë të mëdha. Fatkeqësisht punët e mira që janë bërë, po errësohen nga një mori fenomenesh negative, sikurse janë korrupsioni dhe brishtësia institucionale.

Të dy këto fenomene e ushqejnë njëra tjetrën.

Brishtësia institucionale krijon tokë pjellore për lulëzimin e korrupsionit, dhe anasjelltas: korrupsioni i bën edhe më të brishta dhe më joefektive institucionet.

Korrupsioni na ngadalëson hapat dhe pakëson mundësitë e zhvillimit.

E nderuara presidente,
Të nderuar të pranishëm,

Ne duhet të ballafaqohemi me faktin se perceptimi mbi korrupsionin në Kosovë është tejet i përhapur. Raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta theksojnë këtë perceptim. Mediat dhe opinion publik po ashtu.

Figura e zyrtarit shtetëror është në masë të madhe e diskredituar. Kjo është duke krijuar imazhin e një shoqërie të korruptuar. Pasojat që dalin prej kësaj janë tejet të mëdha: Ne rrezikojmë të humbim kredibilitetin tek mbështetësit dhe partnerët e shtetit tonë. Të humbim besimin tek të gjithë ata që mendojnë të investojnë kapitalin e tyre zhvillimor në Kosovë dhe tek vet qytetarët tanë.
Humbja e besimit të brendshëm dhe të jashtëm është lajmi më i keq për një shtet në zhvillim. Prandaj është urgjente që luftimin e korrupsionit ta ngrisim në prioritet nacional.

Është urgjencë nacionale. Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik.

Sot shteti i Kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi. Ky patriotizëm duhet të kultivohet së pari brenda vet institucioneve, duke filluar nga elitat politike. Kjo nuk bëhet përmes edukimit apo fushatave të vetëdijesimit, por përmes veprimit të pakompromis të ligjit. Heronjtë që i duhen sot Kosovës janë heronjtë që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin.

Ne e kemi të qartë se përveç sundimit të ligjit nuk kemi formulë tjetër për të ecur përpara me zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin demokratik të shtetit.


Sot në botë janë përhapur shumë modelet politike që kombinojnë autoritarizmin politik me zhvillimin ekonomik.

Ne kemi luftuar, kemi derdhur gjak, për t'i hequr qafesh këto modele. Rruga jonë është tjetër. Rruga jonë është modeli perëndimor i zhvillimit dhe mirëqenies, duke luftuar korrupsionin ecim më shpejt drejt këtij modeli. Duke e luftuar përnjëmend, e jo duke bërë sehir me deklarata pompoze.

Ju faleminderit!

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com